E Diel, 1 Nëntor 2026

Asambleja e KiE: Të rifillohet dialogu politik në Parlament



Byroja e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës bën apel për rifillimin e dialogut politik në Parlament, duke kërkuar që të rifillojë funksionimi demokratik i institucioneve për të ndihmuar reformat për integrimin europian të vendit.
Në një deklaratë pas mbledhjes së sotme në Strasburg, thuhet se "Byroja e Asamblesë është e shqetësuar për vazhdimin e krizës politike në Shqipëri pas zgjedhjeve legjislative në qershor 2009, pavarësisht nga kthimi i pjesshëm në Parlament i deputetëve socialistë të opozitës në vijim të vizitës së Komitetit Presidencial të Asamblesë Parlamentare në Tiranë në shkurtin e kaluar".
Deklarata thekson se "Më 25 shkurt deputetët e PS-së hynë në Kuvend, pasi bojkotuan punimet parlamentare duke kushtëzuar prezencën e tyre në Parlament me aprovimin e dy projekt-ligjeve që kishin përgatitur, për të cilët pretendojnë se janë hartuar për t'i bërë zgjedhjet e qershorti 2009 plotësisht transparente. Më 19 mars, Parlamenti aprovoi një projekt-vendim për ngritjen e komisionit hetimor mbi zgjedhjet".
Byroja e APKE-së, thekson se "në mungesë të marrëveshjes med dy partive kryesore lidhur me mandatin e këtij komisioni, deputetët socialiste refuzuan të marrin pjesë në këtë komision. Mbledhja është shtyrë dhe nuk është mbajtur".
Byroja e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, "duke pasur parasysh këtyë bllokim të situatës , si dhe faktin se manifestimet e partive të opozitës dhe ato të partisë në fuqi duhet të zhvillohen në 30 prill e 1 maj, i bën thirrje gjithë drejtuesve politikë të garantojnë rifillimin e dialogut politik brenda parlamentit dhe të sigurojnë mbështetjen e popullit në këtë proces demokratik. Të gjitha forcat duhet të marrin pjesë aktivisht dhe në vazhdimësi në punimet e Parlamentit. Duhet të rifillojë pa vonesë funksionimi demokratik i institucioneve të shtetit me qëllim që të çojë përpara reformat urgjente të nevojshmë për integrimin europian të vendit".
Në deklaratë theksohet gjithashtu se "Byroja sjell në vëmendje mundësinë , tashmë të përmendur gjatë vizitës së Komitetit Presidencial për Gjykatën Kushtetuese për të kërkuar opinionin e Komisionit të Venecias me qëllimin e hetimit që do zhvillohet nga komisioni parlmentar, veçanërisht sa i përket rihapjes së kutive të votimit".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›