Idajet Beqiri: Komisionet hetimore, s’duhet të kthehen në gjyqe

Avokati Idajet Beqiri ka deklaruar në emisionin “3D” në RTSH 1 se komisionet hetimore nuk duhet të kthehen në gjyqe.
Beqiri theksoi se deri më tani komisionet hetimore kanë shërbyer për të mbyllur çështje të ndryshme dhe jo për t’i zbardhur ato.
“Ne komisionet hetimore i kemi ngritur më shumë për të bërë zhurmë, më shumë për të mbuluar se sa për të mbuluar krimet më shumë për të bërë spektakël.
Nëse do të mbulosh një krim të madh në këtë vend apo afera korruptive ngre një komision hetimor dhe e ke të garantuar që mbyllet dhe të gjithë dalin të pa lagur. Ky është perceptimi dhe ky është fakti i derisotëm”, u shpreh Beqiri.
Ai solli shembullin e komisionit hetimor parlamentar, që sipas Beqirit u shndërrua në një proces gjyqësor.
“Duhet të ketë një ndarje të pushteteve që legjislativi të mos fusë hundët te gjyqësori. Nëse bëhet kjo lloj ndarje kjo do të jetë efektive.
Ju më thatë rastin e inceneratorëve, është skandal sepse komisioni parlamentar i futi hundët te pushteti gjyqësor.
Ky komision parlamentar e futi në një qorrsokak edhe vetë SPAK-un sa kur erdhi problemi që po të shikosh ato që u trajtuan në komisionin parlamentar me ato u që u ngrit akuza dhe vajti çështja në gjyq, është si nata me ditën dhe është turp që pati disporporcione të tilla”, theksoi Beqiri.
/rtsh.al/