E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asgjesimi i fletëve të 8 majit, KQZ: Të hënën vendimi

TIRANË- KQZ do shqyrtojë të hënën projektvendimin “Për hapjen e kutive të votimit dhe kutive të materialeve zgjedhore, të përdorura për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 08 Maj 2011”. Vendimi në thelb parashikon asgjesimin e fletëve të votimit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shqyrtojë të hënën projektvendimin “Për hapjen e kutive të votimit dhe kutive të materialeve zgjedhore, të përdorura për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 08 Maj 2011”. Vendimi në thelb parashikon asgjesimin e fletëve të votimit.

Sipas draftit që mund të miratohet dhe me katër votat e maxhorancës, KQZ do të vërë në dispozicion rreth 1 milion e 800 mijë lekë për këtë proces që pritet të zgjasë 60 ditë. Fondi do të destinohet për lëndën djegëse dhe pagat e punonjësve që do të zbrazin kutitë. Por ndryshe nga fletët e votimit të 28 qershorit 2009, që mbajtën peng politikën shqiptare përreth dy vjet, kësaj here fletët e votimit do të digjen shumë shpejt. Sipas Partisë Socialiste gjithë ky nxitim e ka një arsye.

“Ristani para se të largohet nga KQZ, po zhduk gjurmën e krimit elektoral. Kjo është tentativa për të fshehur manipulimin e zgjedhjeve të 8 Majit”, u shpreh në një intervistë të dhënë dje për “Gazeta Shqiptare”, juristi i socialistëve pranë KQZ-së, Eridian Salianji.

Sipas tij ky vendim i KQZsë është i parakohshëm përsa kohë Partia Socialiste ka depozituar pak muaj më parë në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë një kallëzim penal për kryetarin e KQZ-së, Arben Ristani dhe tre anetarët Klement Zguri, Vera Shtjefni dhe Hysen Osmani.
(e.m/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›