E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asgjësimi tjetër i Abaz Kupit

08-07-2012 / Nga Qemal Sakajeva

Nxjerrë nga libri “QENDËRCIKLONI”, 2002

Qëndresa kundër pushtimit italian, më 7 prill 1939, ka qenë çudi më vete. E thënë ndryshe, ajo që propagandohej, përbënte zhurmë dhe heshtje, qe poterë dhe skëterrë. Në anën e poterës, pa i dëmtuar aspak meritën historike aq sa e ka, vihej vetëm ushtaraku Mujo Ulqinaku dhe populli si turmë. Në anën e skëterrës dhe heshtjes vendosej Mbretëria dhe Abaz Kupi.
Dokumentari  i Televizionit Shqiptar, për qëndrestarin nr. 1 në bregdetin e Durrësit, ditën e 1 prillit 1939 - Abaz Kupin - nga krahu i majtë u sulmua egërsisht, deri në fyrje. Edhe pse skenari u shkrua me kujdes nga gazetari Avdulla Kënaçi, duke e ballafaquar historinë me ato dokumeta që kishte stërthënë historiografia komuniste, dhe atyre çfarë ka publikuar historiografia angleze, të panjohura më parë në Shqipëri, furtuna komuniste në demokraci qe po aq e marrë sa dhe më parë. Me filmime dhe mendime u përplasën dy interpretime në dokumentar: njëri tepër i përdorur -  Abaz Kupi, armik i popullit, tjetri - Abaz Kupi, në rolin e heroit popullor, të qëndresës në ditën e pushtimit.
Por lepuri flinte në tjetër strofkë: Abaz Kupi nacionalist kishte luftuar kundër komunizmit dhe ardhjes së tij në pushtet, në Shqipëri. I gjithë dokumentari, në 40 minutat e tij, ishte i thurur ftohtë, mbi dokumenta, dëshmi të të gjallëve, që nuk u ishte dhënë kurrë e drejta për t’u shprehur për ngjarjen dhe individin, fakte, fotografi, libra dhe gjithçka qe e mundur të gjendej e përfshihej në pasurimin e një emisioni që transmetohej për herë të parë. Jehona e rezistencës së Abaz Kupit i pati kapërcyer kufijtë dhe qe përshëndetur nga antifashistët italianë, të cilët, asokohe, thanë për të, këto vargje: “General Guzzoni/ Scrisse a Mussolini/ Gli sbarchi sono vani/ Non lascia Bazi Cani ( sipas dokumentarit të TVSH për Abaz Kupin, i asgjësuar fshehtas nga arkivi, më 1995).
Një ditë pas, dhe në ditë të mëvonshme, nuk pushuan kundërshtitë, deri agresive e fyese. Mbërritën telefonata me  zëra të vrazhdë. Pati ndalime në rrugë nga njerëz trutharë dhe intelektualë militantë që qortonin: ”Çfarë po bëni, kështu? Armikun e popullit e bëtë hero!”. Në “Zëri i Popullit” u zbrazën karrikatorët e armiqësisë kundër Abaz Kupit dhe përcaktime sharëse për autorin. Një historian nxiu tri kolona gazete, duke vënë për emër, në fund të artikullit, një pseudonym, nga që shkruante, po asnjë ndryshim, si në kohën e diktaturës.
Historiografia komuniste ishte krejt ndryshe nga ngrehinat prej hekurbetoni. Këto të fundit lartësohen vështirë, por shëmben, e shumta për 10 sekonda. Historia shkruhet lehtë, por çshkruhet vështirë. Pikërisht, në ditët e  atij mllefi, kanali televiziv gjerman ARD 1, me të cilin vepronte një protokoll marrëveshjeje bashkëpunimi, kërkoi një program nga TVSH, për ta  transmetuar. Zgjodhëm fatin e një artisti, në vend të një qendrestari kundër komunizmit. Morëm një ngjarje të vonët, në vend të një tjetre të hershme. U përgatit në anglisht dokumentari i shkurtër i të njëjtit autor të dokumentarit për Abaz Kupin. Ai titullohej “Pas rrebeshit të kuq”, që kishte në qendër përndjekjen ndaj kompozitorit të njohur Pjetër Dungu. Sa të mbetej në mendje vuajtja e kompozitorit nëpër burgjet e tmerrshme, aq nuk të ikte nga kujtesa bashkëshortja e tij, që rrugëtonte gjatë për në ferrin e Spaçit, për të takuar Pjetrin, dhe “çuditërisht” kurrë nuk mbërrinte atje. Si “rastësisht” udhëtimi i mbushej me lloj-lloj pengesash e ndalimesh.
Në arkiv, në një kasetë Beta SP 90 minutëshe, gjendeshin të dy dokumentarët - Abaz Kupi në fillim dhe Pjetër Dungu në vijim. Televizioni ARD e transmetoi programin që iu dërgua për kompozitorin e persektutuar dhe, me siguri e ka ruajtur në arkivin e vet digital. Por, të dy dokumentarët, për Abaz Kupin dhe Pjetër Dungun, u zhduken nga arkivi i TVSH. Shkaktar, ndoshta, u bë Abaz Kupi? Ndoshta, Pjetër Dungu? Por, edhe të dy. Dyshimet shkuan te përkthyesja e departamentit, me një të shkuar plot lidhje me  regjimin komunist dhe me një të vonshme, me lidhje  edhe më të forta me të majtën e skajshme. Në regjistrin e arkivit, emri i përkthyeses figuronte si marrësja e fundit e të dy dokumentarëve televizivë dhe, kurrkund nuk gjendej asnjë shënim që ato të qenë kthyer. Arkivi kishte mëkatin e vet, sepse punonjësit aty, për shumë kohë  e mbajtën të padenoncuar humbjen. Atë e zbuloi vetë autori i të dy programeve, por atëherë ishte tepër vonë: kishte nisur rebelimi i kuq terrorist i armatosur ‘97, i cili po ekzekutonte demokracinë foshnjore shqiptare, bashkë me dëshmorët e saj të hershëm, tanimë vetëm në shirita magnetikë  televizivë. U bë masakër mbi thesarin arkivor televiziv kundër diktaturës.
Deputeti socialist nga Fieri, Bardhyl Fasko qe ngritur e pati thënë në Kuvend, bash para kamerave televizive: ”A mund të amnistohet djali i Abaz Kupit? Atëherë  ta lëmë edhe Leka Zogun të vijë!”. Këta deputetë e politikanë, Presidenti Berisha i pati cilësuar komunistë që fshihen nën emrin socialistë, dhe përdori  për ta termin grek “kripto”. Por, ata, e quanin për fyerje t’u thërrisje “kripto”. Do kohë më vonë, kur dikush i foli me zë të lartë deputetit Bardhyl Fasko, m’u në sheshin “Skënderbej”, përpara pesëmbëdhjetëkatëshit, Tirana International Hotel:
-Ç’kemi, o Kriptokomunist?
Bardhyli ia ktheu fortë e krenisht:
-Nuk jam Kripto, por i Vërtetë!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›