E Shtunë, 31 Tetor 2026

Epilog për dy episode

Njëri prej episodeve është i këtyre ditëve dhe si vend ndodhjeje ka Tiranën, ndërsa ai tjetri, thuajse i ngjashëm me këtë, i takon një kohe tjetër të gati para një çerekshekulli dhe një vendi të largët si Austria, por nga që ka qenë tepër mbresëlënës, vazhdon të mbetet ende i freskët dhe kuptimplotë në vëmendjen time. Subjekti është fare i thjeshtë në pamje të parë dhe ka në qendër një pemë të çfarëdollojshme e pa ndonjë vlerë utilitare kushedi se çfarë, megjithatë ia vlen ta trajtoj pikërisht sot, kur po flitet aq shumë rreth mbrojtjes së mjedisit e veçanërisht atij të gjelbërt, ndaj të cilit vendi ynë ka shumë borxhe. Më shumë është një çështje botëkuptimi, për të kuptuar se ku jemi ne shqiptarët e vonuar si mentalitet e psikologji dhe se ku janë vendet e tjera të civilizuara e me qytetërim të hershëm. Për të mos u zgjatur, po e nis me episodin e parë, të atij të njëzet e ca viteve më parë, kur për arsye të një shërbimi gazetaresk u ndodha në kryeqytetin austriak. Ishte koha kur çdo delegacion apo individ shqiptar që udhëtonte jashtë kufijve të tij, thuajse e kishte detyrim që në vendin ku shkonte, të paraqitej ose të kontaktonte me përfaqësues të personelit të ambasadës sonë atje! Kështu më pat ndodhur edhe mua, që kisha shkuar në Austri, si i dërguar i “Radio Televizionit Shqiptar”, për të ndjekur një garë çiklistike ndërkombëtare ku merrte pjesë edhe ekipi ynë përfaqësues me mjeshtra të nivelit të lartë në formacion, si Agim Tafili me shokë. Sapo u futa në oborrin e selisë së ambasadës sonë në Vjenë, gjëja e parë që më bëri përshtypje, për të mos thënë që më vrau sytë, ishte një pemë e madhe që e shkulur me gjithë rrënjë, ishte shtrirë sa gjerë e gjatë në të gjithë atë sipërfaqe para godinës, duke e vështirësuar lëvizjen e njerëzve që ishin me punë aty. Tek po kaloja me kujdes mes degëve të pemës së rrëzuar që dergjej aty mes këmbëve tona, natyrisht tërhoqa vëmendjen e shoqëruesit të ambasadës, i cili nuk vonoi të më shpjegonte se, pema ishte gremisur një natë më parë nga një erë e fortë dhe ata në ambasadë, pas lajmërimit që kishin bërë në adresën e duhur, (vetë nuk kishin të drejtë të bënin asgjë), po prisnin nga çasti në çast që të vinin autoritetet përkatëse bashkiake për të filmuar gjendjen dhe pas dëshmive që do të merrnin, do të bënin pastaj çregjistrimin e pemës së vjetër që, sipas tyre, do të zëvendësohej me një pemë tjetër të re, që do të mbillej po në atë vend. Sepse, jeta vazhdon, - do të mendonte kushdo me mend që njihej me këtë episod apo që e përjetonte atë, - dhe se përtëritja e brezave, ashtu si tek njerëzit, duhet të ndodhë edhe me pemët...
Gati e kisha harruar dhe natyrisht nuk kisha përse të zgjatesha më tej me këtë histori të përkujdesjes ndaj pemës, sikur të ishte një njeri, por kur shoh që tek ne në Shqipëri priten dhe asgjësohen pa asnjë problem e pa i dhënë llogari askujt, jo vetëm një pemë, por pyje të tërë, ai episod i largët i një çerekshekulli më parë, atje në Vjenën perandorake, nuk ka se si të mos më vijë ndërmend dhe mos ta kujtoj në këtë çast, si një paralele të largët që nuk ka asnjë përafrim dhe pikëtakimi me këtë episodin e tanishëm të zhdukjes misterioze të asaj pemës gati 200- vjeçare para Galerisë Kombëtare të Arteve, që ishte kthyer si një simbol gjelbërimi në mes të Tiranës! Gjithashtu, mund të mos e kujtoja atë episod të largët të Vjenës, (nuk po e quaj ngjarje, sepse për dikë, ndoshta, mund të merrte nota dramatike më të forta se ç’duhej!), por kur shoh që jo vetëm për pemën e moçme para Galerisë, të zhdukur pa nam e nishan, por as për gjithë atë masiv pyjor të Parkut të Madh Kombëtar pranë Pallatit të Brigadave, nuk po merakoset askush prej atyre që e kanë për detyrë kujdesin ndaj mjedisit dhe ruajtjen e tij, por të gjithë këtë masakër ndaj natyrës e quajnë krejt normale, më shkon mendja të them se, Shqipëria me këtë që po bën nuk ka asnjë pikë referimi dhe mirëkuptimi me ato vende ku pemët trajtohen si një vlerë njerëzore dhe kombëtare!
Pavarësisht shkaqeve apo arsyeve “madhore” që kërkojnë të shfajësojnë masakruesit e pemëve tek ne, megjithatë, batërdia ndaj tyre nuk ka asgjë të përbashkët me vendet e tjera, përkundrazi është një shembull i përçudnuar, i pangjashëm dhe kurrsesi i krahasueshëm me atë episodin aq njerëzor që pata rastin ta përjetoj një çerekshekulli më parë, atje në Vjenën e largët perandorake!
E titullova si një epilog për dy episode gjithë këtë histori të thjeshtë në pamje të parë, por tepër domethënëse për sa i përket ndryshimit e kuptimit të gjërave midis dy shteteve në fjalë, sepse e ndjej dhe po e shoh realisht se prologu në këtë rast nuk egziston, ndërkohë që vetëm fundi është ai që bën ligjin tek ne, duke mos e llogaritur aspak të ardhmen!... 

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›