Ide/ A mos radhën e shkarkimit në FRESSH e ka Elisa Spiropali?
Gijotina lëvizëse e Erion Velisë po prek kokat e krerëve “rebelë” të Forumit rinor eurosocialist nëpër rrethe sikur të ishim në vitet e terrorit revolucionar të 1793. Pas shkarkimit të kreut të FRESH së Kavajës “prerja e kokës” ka ardhur dhe për kreun e forumit të Korçës dhe Hasit. Përplasjet dhe debatet e ashpra në radhët e rinisë socialiste kohët e fundit, që kanë degjeneruar në vendime të paprecedentë dhe jashtë çdo norme statusore brenda strukturave, ku pas ngjarjes në Kavajë, Korçë dhe Has, Erion Veliajt i lind e drejta për të shkarkuar edhe vetë kryetaren e këtij forumi Elisa Spiropali.
Para disa ditësh, në Asamblenë Kombëtare të FRESSH-it, Erion Veliaj pati dorë në bërjen e listave, aq sa shkaktoi rebelimin e Elisa Spiropalit dhe braktisjen e saj dhe të disa të zgjedhurve të tjerë nga Asambleja. Kjo ngjarje shkaktoi alarmin te Kryetari i PS-së, pasi jo të gjithë të zgjedhurit e strukturave partiake dhe rinore të PS-së janë militantët besnikë të Kryetarit Rama. Fushata e “spastrimeve” brenda Partisë është një primitivizëm i kësaj organizate të pareformuar me moshë 70-vjeçare. Partia Socialiste si duket nuk ka trashëguar veç kuadrot besnikë të Partisë së Punës, por edhe tiket totalitare. Përpos shkarkimit të krerëve dhe zgjedhja e krerëve të të rinj është bërë me një proces jo demokratik. ndaj kësaj situate të pazakontë një ditë më parë, reagoi edhe anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste, Arben Malaj, i cili deklaroi se rasti i shkarkimit të kryetarit të FRESSH-it të Kavajës dhe penalizmi i të rinjve të pabindur nga sekretari i Rinisë, Erion Veliaj, është një mentalitet i vjetër që duhet të marrë fund në PS. “Shkarkimet, pezullimet apo çdo përqasje tjetër që deformon rëndë besimin e të rinjve, janë fenomene të reja, thellësisht të vjetra si mentalitet dhe shumë të dëmshme për të ardhmen”, është shprehur Malaj.
Sakaq shkarkimet, pezullimet dhe përjashtimet janë të gjitha simptomat e një regjim terrori. E gjitha kjo është në kundërthënie të plotë me investimin e bërë para dhe gjatë Asamblesë kombëtare të 12 qershorit të FRESH ku Sekretari për Rininë në PS, Erion Veliaj, pati orkestruar një garë alla amerikane të “primareve”. Mirëpo pas përvojës së pafat të garës demokratike brenda organizatës rinore, Erion Veliaj i është kthyer kulturës tradicionale jakobine të Partisë Socialiste: shpalljes armik! Sidoqoftë nuk mund të lejohen apo të pranohen lëvizje diktature apo asgjësim i mendimit ndryshe duke menduar se kjo është e vetmja mënyrë për anën tjetër. Erion Veliaj u kooptua pa votë në Partinë Socialiste përmes vendimit të Edi Ramës, i cili jo vetëm miraton këto “ekzekutime” por i frymëzon sipas modelit të përjashtimit të deputetit Kastriot Islami.
L. Lita