E Shtunë, 31 Tetor 2026

A mund të ketë reformim në PD?

Nuk e di se si mund të kryhen reforma të thella, të cilat i kërkon me aq ngulm Brukseli dhe mezi i pret shoqëria, nëse partitë që qeverisin nuk pranojnë të reformohen, nuk lejojnë të ketë demokraci të qënësishme brenda tyre. Qëndrimet e fundit publike të dy deputetëve të PD-së, Marku dhe Xhepa, nga shumëkush u kuptuan si shenja ogurmira për ringjallje të shpresës e të kurajës qytetare se edhe në këtë parti nuk qenkan shuar mundësitë të fryjnë erërat e mbara të demokratizimit dhe reformimit. Pas Topit, Oketës dhe Biberajt, të cilët zgjodhën një tjetër rrugë, daljen nga partia dhe krijimin e një force të re të djathtë, këta dy deputetë provuan jo vetëm se kanë integritet vetjak, por edhe se shpresojnë, me idetë e tyre, të sjellin ndryshim e rivitalizim të partisë.
Duke qenë pjesë e një partie të mbyllur, ku flet, sulmon, qesh, tall, qesëndis, përsëndyn, hap ose mbyll horizonte, zgjedh e vendos se kush do të bëhet President Republike, si dhe, herë pas here zhbën dhe rishkruan historinë si t’i dojë qejfi, në një parti ku monopolin e të vërtetës e ka vetëm një Njësh, -udhëheqësi legjendar, i pagabueshëm e i pazëvendësueshëm,- dy deputetët dëshmuan, veç të tjerash, se nuk janë vetazgjësuar intelektualisht prej trysnisë së autoritetit të kryetarit…E pra, ndodhi ajo që ndodh rëndom, edhe në diktaturat më të egra: Sado e papërballueshme të jetë shtypja dhe dhuna, prapëseprapë nuk ka sesi mos të dalin njerëz me dinjitet dhe integritet. Risia që solli së fundi Marku e Xhepa dëshmoi se ata nuk e kanë humbur të drejtën natyrore “për të menduar”, nëse do të merrnim hua një shprehje të Markut drejtuar një “intelektualeje” që veprimtarinë në parti vazhdon ta kuptojë si bashkëjetesë në tribu.…
Besoj të mos jem i vetmi që dyshoj se zërat ndryshe që kërkojnë, për të mirën e partisë, ndryshim rrënjësor, qoftë edhe me “rithemelim”, nuk kanë për ta tjetërsuar këngën e majekrahit, monofonike, bjeritibiem të PD-së së berishizuar tejetej prej mëse njëzet vitesh. Sigurisht nuk kanë për të turbulluar as hierarkinë faraonike të vlerave e qeverisjen nëpërmjet antivlerave, dosjeve dhe kapitaleve të vjedhura. Madje nuk kanë për të prurë asnjë debat të brendshëm në strukturat e partisë, si shpreson Marku. Nëse sjell në kujtesë një shprehje popullore, kam frikë se edhe zërat e tyre, njëlloj si kritikat dhe akuzat e përditshme për abuzime dhe korrupsion, për autoritarizëm të sforcuar që mediat e pavarura bëjnë përditë, kanë për të rënë, “si kova në pus”. Ky nuk është skepticizëm. Me PD-në e berishizuar po ndodh njëlloj si me PP-në e dikurshme: po të hapej, do të shkërmoqej, si u shkërmoq; po të mbyllej, si u mbyll, do të sklerotizohej e do të kalbej, si edhe ndodhi…
***
I vetmi ndryshim që ka pësuar mendësia e drejtimit të partisë dhe qeverisë është se me urdhër nga lart, të kryeministrit, asnjë gazetar nuk do të paditet nga qeveritarët, edhe kur akuzat janë shpifje, edhe kur janë të drejta. E njëjta vlen edhe për zërat e brendshëm që guxojnë të dalin kundër. Të të sulmojë Berisha të bën nder, të faktorizon, pasi ndodh dukuria “Nano”, i cili, pasi u dënua nga Berisha me burg nuk u përçmua, si u propagandua, por “u shenjtërua”…Nga ky rast dhe nga burgosja e gazetarëve janë nxjerrë përfundime. Kësisoj edhe në PD-në e sotme nuk mund të ndodhë si ngjau dikur me mocionistët të cilët u “zunë me hu” si tradhtarë, si “karrigethyer”, si agjentë serbë e grekë, etj. etj...Në fillim të viteve ‘90-të, kur para se të dilnin në podium e të shfaqnin idetë e tyre ndryshe, njëlloj si në mesjetë, militantët dhe mercenarët PD-istë i terrorizuan mocionistët armiq të partisë (të Doktorit) me grushte, me sharje e pështymë dhe pastaj ju thoshin: Hë, pra, tani jeni të lirë, mund të dilni e të flisni, po jua mbajti, kundër!...Kjo është demokracia e vërtetë e “popullit që të zë me gurë në mënyrë demokratike”…Mjafton të kujtohen akuzat e botuara kundër Azem Hajdarit për të kuptuar se çfarë terrori inkuizitiv ushtrohej asokohe nga propaganda e shik-ut të partisë.
Kjo situatë ka marrë fund; por kjo nuk do të thotë që edhe terrori psikologjik ka marrë fund. Sot nuk ka për të bërë vaki e njëjta sjellje publike, harbute dhe inkuizitive, as ndaj Markut e as ndaj Xhepës. Madje, po të vihen re edhe sulmet, që do të dukeshin të justifikuara ndaj plangprishësve Oketa-Biberaj-Topi tanimë janë të vakëta, të kursyera, në mos edhe të paqena. Mos vallë kjo tregon se jeta e brendshme në PD ka pësuar ndryshim, se partia është demokratizuar dhe se, pas ardhjes së dytë në pushtet, Berisha, nuk është më ai i pari që anatemonte, rrihte, vriste dhe burgoste kundërshtarët, gazetarët dhe politikanët që guxonin të dilnin kundër?
Kjo pyetje ia vlen të analizohet.
***
Nuk ka dyshim që tezat e Markut dhe vërejtjet e Xhepës synojnë përmirësimin e PD-së para zgjedhjeve të ardhshme. Çdo parti përnjëmend demokratike do të mirëpriste dhe do të nxiste të tilla nisma profilaktike. Por në ditët që do të vijnë kemi për të parë se si do të mospërfillen këta zëra, a thua se nuk kanë ekzistuar. Jo vetëm kryetari i partisë, po asnjë organizëm partiak nuk ka për të analizuar idetë e dy deputetëve. Ashtu si nuk do të sulmohen, për të mos u faktorizuar e fuqizuar dy partitë e reja të djathta, kuqezinjtë dhe topçinjtë, ashtu do të anashkalohen edhe Marku e Xhepa. Reagimi i një deputeti që u bë i famshëm se pat qëlluar me pistoletë në stadiumin e Peqinit nuk ka asnjë vlerë për debatin, përveçse dëshirës së këtij të fundit për të kënduar këngën “ja ku jam!”, dmth: më fut edhe mua në listë vitin që vjen, Doktor, se ja, shiko se sa besnik më ke!
Kjo “heshtje demokratike”, sikur nuk ka ndodhur gjë, është padyshim një mbytje me jastëk e problemit, e të vërtetës. Është klimë më keqsjellëse e më ogurzezë për partinë dhe, pse jo, edhe për shoqërinë se sa sulmet që bëheshin me shpifje, me dajak e me hu në fillimet e pluralizmit; pas një ballafaqimi të tillë me barbarët, si edhe ndodhi, automatikisht do të ngjallet reagim, mobilizim, reaksion, mospëlqim jo vetëm partiak, por edhe qytetar. Mesa duket është braktisur kjo taktikë, kjo rrugë pa rrugë. Duke mos i përfillur zërat kundër, jo vetëm që do të humbasë fuqia e tyre ndikuese, por kundërshtia dhe oponenca, ndonëse të pafuqishme, do të kthehen në “vlerë”: binduni pra, o njerëz, se edhe në PD ka demokraci të brendshme, se ja, as Markut dhe as Xhepës nuk u hyri gjemb në këmbë!
Kjo fasadë “demokratike” është ana më e shëmtuar e çështjes. Por pas fasadës do të nisë përjashtimi, izolimi, trysnia, terrori psikologjik, telefonatat anonime, sms-të, blogjet në internet, përjashtimi nga puna i të afërmeve, bojkoti nga institucionet dhe nga krerët e tyre, fyerjet e poshtërimet e pasosura pas shpine ,etj etj…. Kush nuk e ka provuar nuk mund ta dijë sesa i ndyrë, i poshtër dhe i papërballueshëm është terrori psikologjik që kryhet me aq zell e pafytyrësi nga mercenarët partiakë “nën rrogoz”. Edhe vetë dy deputetët besoj se e kanë të qartë se pas kësaj herezie ata nuk kanë për të hyrë në listën e deputetëve në zgjedhjet e ardhshme. Në të kundërt, do të jenë po ata që, si e tha Marku, nuk flasin kurrë e që dinë të ngrenë kartonin sipas urdhrit nga lart.
Në këto kushte nuk e di se sa frytsjellëse do të jetë kërkesa e Markut për “rithemelim”, mundësia për reformim nga brenda e PD-së, apo dalja e jashtë saj, prej zhgënjimit dhe pafuqisë. Këtë me siguri do ta tregojnë shumë shpejt ditët që vijnë. Por edhe kaq sa ka ndodhur deri më tani mund të cilësohet si një shenjë e mirë, sigurisht jo një rrufe në qiell të pastër, po janë ndezur, më në fund, disa qirinj në fund të tunelit…Kush ka sy dhe kush ka tru le t’i shohë! 

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›