E Diel, 1 Nëntor 2026

Asgjësohen 1300 ton municione nga baza e Shkozetit

Rreth 1300 ton municione të rrezikshme janë asgjësuar nga baza ushtarake në Shkozet të Durrësit. Për të parë situatën ka shkuar në vend edhe ministri i mbrojtjes, Gazmend Oketa. “Eliminimi i 1300 tonëve municione të vendosur në 59 kontenierë është bërë brenda dy muajve të fundit. Sipas Oketës aktualisht në magazinë ka mbetur ajo pjesë e municioneve që nuk paraqet rrezik për banorët dhe punonjësit e saj.

Rreziku nga municionet

Departamenti amerikan i Shtetit përfshin Shqipërinë në listën e vendeve të rrezikuara nga municionet e vjetëruara. Në raportin e publikuar për alarmin e municioneve në botë, tragjedia e Gërdecit është vendosur në krye të ngjarjeve të rënda, të ndodhura për shkak të municioneve. Në këtë raport përmenden 137 incidente, mes të cilave edhe ai i Gërdecit, ku humbën jetën 24 vetë, u plagosën me shumë se 300 të tjerë si dhe u shkatërruan shumë shtëpi.

Në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit thuhet se faktorë për këtë aksident të rëndë ishin municionet e vjetëruara, paketimi i keq dhe kushtet e këqija të mirëmbatjes së tyre. “Fatkeqësisht kjo ngjarje nuk ishte një incident unik”,-theksohet në raportin e publikuar në faqen zyrtare të Departamentit Amerikan të Shtetit. Shqipëria përmendet sërish për incidentet e marsit të vitit 1997 në 15 qytete, ku si pasojë e gabimeve njerëzore dhe sigurisë së ulët, shpërthimet e municioneve u morën jetën 59 personave në të gjithë vendin. Këto ngjarje e shtynë NATO-n të nisë një program trajnimi të Forcave të Armatosura Shqiptare për pastrimin e armatimeve të paplasura.

Shpërthime katastrofike në depot e municioneve, në vitin 2008 kanë ndodhur edhe në zona të tjera, kryesisht në Evropën Lindore. Incidentet në Uzbekistan dhe Bullgari kanë ndodhur si pasojë e depove të rrezikshme në të cilat ndodhen municione mjaft të vjetërura dhe të paketuara keq, të cilat mund të shkaktojnë çdo vit më shumë viktima sesa zonat e minuara apo mbetjet eksplozive të Luftën së Dytë Botërore. Tre incidente të tilla ndodhën vetëm këtë vit në Shqipëri, Uzbekistan dhe Bullgari, ndërkohë që më 29 dhjetor të vitit 2007 nga gjashtë shpërthime të ngjashme në Kolumbi vdiqën dy vetë dhe u plagosën shtatë të tjerë. Shpërthime në depot e armatimeve kanë ndodhur edhe në Siri, Republika Demokratike e Kongos, Sudan, Mozambik e Serbi. Megjithatë, në listën e publikuar në Departamentin amerikan të Shtetit, tragjedia e Gërdecit duket më e përgjakshmja e ndodhur gjatë viteve të fundit, për shkak të numrit të madh të viktimave dhe të lënduarve.

Aksidentet 2008

Uzbekistan

Shpërthimi i një depoje ushtrie më 10 korrik në Kagan, në juglindje të Bukharasë vrau tre persona dhe plagosi 21 të tjerë. Në këtë incident janë raportuar informacione të pakonfirmuara për viktima të tjera.

Bullgari

Një seri shpërthimesh ndodhën më 3 korrik në depot e municioneve në Sofia, të cilat sollën evakuimine banorëve në 6 kilometra rreth tyre. Tonelata të tëra municionesh shpërthyen menjëherë.

Shqipëri

Më 15 mars, një shpërthim masiv në depot e Gërdecit u mori jetën 26 personave, plagosi 300 të tjerë dhe shkatërroi mbi 400 shtëpi. Depot po përdoreshin për demontimin e municioneve. Shkaku i vërtetë i shpërthimit është ende nën hetim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›