Sherr pas darkës familjare, dy viktima, kapet autori
Fier - Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në mesnatën e djeshme në fshatin Pishporo Komuna Topojë rrethi i Fierit. Një 22- vjeçar ka humbur jetën, ndërkohë që vëllai i tij 17 vjeçar ka mbetur i plagosur me thikë dhe është shtruar në spitalin e qytetit. Policia konfirmon se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, dhe hetimet po vazhdojnë me intensitet për zbardhjen e ngjarjes dhe kapjen e autorit. Burimet zyrtare të policisë thanë sot në mëngjes se ngjarja ka ndodhur në qendër të fshatit Pishporo rreth orës 23.00 të natës ku ka humbur jetën shtetasi Flogert Toska 22-vjeç dhe ka mbetur i plagosur vëllai i tij 17-vjeçar Xhuljano Toska. Sipas burimeve policore si dhe dëshmitarëve në vendngjarje autori i ngjarjes është bashkëfshatari i tyre, 30-vjeçari Arben Dhamo. Sherri mes të rinjve ka ardhur për motive të dobëta dhe ka nisur mbas përfundimit të një gëzimi familjar të një bashkëfshatari të tyre. Pas fyerjeve e sharjeve midis njëri- tjetrit ajo ka degjeneruar, ndërkohë 30 vjeçari Arben Dhamo me sa duket ka humbur kontrollin dhe i është hedhur përsipër 22 vjeçarit Flogert Toska.
Nuk ka të dhëna nga policia se si është zhvilluar më tej ngjarja por dëshmitare të rastit shprehen se Dhamo i ka vënë duart në fyt Flogertit duke i marrë jetën. Ndërkohë vëllai i tij Xhuljano i ka ardhur në ndihme të vëllait por është goditur me mjete te mprehta në trup që mendohet të jete një kaçavide ose thikë.
Ndërkohë kanë ardhur në ndihme fshatarë të tjerë të cilët kanë bërë të mundur gjetjen një mjeti dhe nisjen e e vëllezërve për në spitalin e Fierit.
Dëshmitarë shprehen se në momentin që është dhënë ndihma vëllezërve për t’i hipur ne makinë ka ndihmuar edhe autori i krimit, por për mungesë vendesh ai nuk ka hipur lart.
Mësohet se mbas largimit të makinës ai është parë të largohet me vrap ne drejtim të lumit Vjosë. Mbas marrjes së njoftimit forca të shumta të policisë kanë mbërritur në vendin e ngjarjes duke kryer nje operacion të gjerë i cili drejtohej nga drejtori i policisë Qarku Fier Arjan Boxho. Ata kanë rrethuar të gjithë zonën por arrestimi i autorit eshte bere mengjesin e sotem.Nga burimet spitalore mësohet se 17- vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe aktualisht ndodhet ne sallën e reaminacionit nën kujdesin e mjekëve.
Ndërsa viktima të cilët ekspertet nuk kanë vërejtur asnjë goditje me thike ose me sende te tjera të forta janë të mendimit se Flugert Toska mund të jete mbytur nga autori i krimit.