E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përshtypje udhëtimi nga tre linja detare emigrantësh

SHËNIM I REDAKTORIT: Artikulli i mëposhtëm na është dërguar nga lexues Selman Bllaca dhe flet mbi një eksperiencë personale udhëtimi. Redaksia ka redaktuar emrat e mjeteve kundruese që përmenden në artikull, për të mos krijuar probleme etike, por në bashkohemi plotësisht me apelin e bërë nga lexuesi ynë në fund të informacionit që na ka dërguar.

Para se të ndalem në peripecitë e mijëra e mijëra emigrantëve që këto ditë udhëtojnë në linjën Brindizi – Vlorë, dëshiroj të tregoj një episod nga trajtimi shume njerëzor dhe i kulturuar i personelit të tragetit "A." në linjën Durrës - Bari. Vetëm pse, pas mesnatës, nuk funksiononte ashensori për të zbritur në katet e poshtme të tragetit, personeli i pritjes, jo vetëm u shqetësua e ndërhyri në makineri për hapjen e menjëhershme, por insistoi për të nënshkruar një proces-verbal për t'ia paraqitur kapitenerisë së tragetit, si ngjarje e jashtëzakonshme !

Rasti më ra që, me datën 11-12 gusht, të udhëtoja në linjën Brindizi –Vlorë, udhëtim që mund të quhet vetëm një trajtim çnjerëzor që u behet mijëra e mijëra emigrantëve që kthehen në atdhe.

Në sallën e pritjes për vulosjen e pasaportave, qysh para dite, gra, fëmijë e burra, dergjeshin për të vulosur pasaportat, sepse nga agjencitë iu premtua se trageti "B" do të nisej në orën 16. Por që në fakt u nis pas orës 24 dhe askush nuk u bë merak apo të kërkonte të paktën ndjesë!

Ndërkaq, pas orës 16 filloi dyndja për tragetin e dytë dhe për çudi, për këta mijëra e mijëra njerëz, që duhet të vulosnin pasaportat, ky shërbim filloi pas orës 17,30 dhe vetëm një sportel me një polic italian, i cili e ndërpriste punën dhe dilte jashtë, sa herë donte! Edhe kur, pas orës 20 u hap edhe një sportel tjetër, nuk ishte e mundur që njerëzit të mos qëndronin të paktën 2-3 ore në radhë, në një vapë shkatërruese.

Por telashet nuk mbarojnë me kaq. Për imbarkim në tragetin e dytë, (po e quajmë C) duhet të prisje pas orës 21,30, megjithëse ishte i ankoruar në kalaten përkatëse!

Por, me e "bukura" ishte trajtimi çnjerëzor dhe kushtet skandaloze të këtij trageti, i cili, megjithëse me flamur panamez, me sa mësuam ishte grek dhe për më turp akoma, personeli në masën dërmuese ishte shqiptar, nëse mund t'i quajmë të tillë.

Një i ashtuquajtur "komisar" që priste në hyrje, ishte aq brutal dhe i pa edukate, saqë i trajtonte udhëtarët shqiptarë si skllevër, fliste gjithë kapadaillëk e nervozitet sikur dikush ia kishte borxh! Pas kësaj, pa asnjë kuptim, mbante edhe pasaportat, të cilat i ktheu në mbërritje, pa asnjë veprim, duke krijuar konfuzion.

Ndërkaq një shqiptar tjetër në recepsion, për të dhënë kabinën detyrimisht kërkonte pasaportën, të cilën e mbante komisari!

Higjiena, sidomos në banjat, linte për të dëshiruar, por më e keqja ishte se fëmijët, gratë apo të moshuarit që u përkiste të flinin në katin e sipërm të krevatit marinar, duhet të ishin atlete, sepse mungonin shkallët! Dhe për këtë recepsionisti "qeshte" dhe ofronte ndonjë karrige, kurse "komisari" pranoi se "është e drejtë"!

Mendoj se para se trageteve t'u jepet e drejta e lundrimit, dhe sidomos gjatë lëvizjeve masive sidomos të emigranteve, organet shtetërore shqiptare të transportit dhe të Ministrisë së Jashtme, duhet të kontrollojnë se ç’po behet me shtetasit shqiptarë, me të cilët po tallen si dhe kur të duan njerëz të pandërgjegjshëm e pa edukatë, të punësuar nga të huajt. Nga emigrantët nuk duhen kërkuar vetëm votat!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›