Asgjësohen 3 700 kilogramë ushqime të skaduara
Në këto ditë vere dhe me temperatura të larta inspektorët e ushqimit në Gjirokastër kanë intensifikuar kontrollet e tyre në lidhje me cilësinë e produkteve ushqimore që u ofrohen konsumatorëve. Gjatë gjithë kësaj vere inspektorët e ushqimit kanë zhvilluar kontrolle të vazhdueshme në tregjet publike, supermarkete, njësi të tregtimit të produkteve ushqimore, prodhimit dhe magazinimit të tyre etj. “Prej fillimit të muajit gusht ne kemi asgjësuar në total rreth 3 700 kilogramë produkte ushqimorë, të cilat tregtoheshin jashtë afatit të kadencës, apo në prodhimin e tyre nuk ishin respektuar parametrat për mbrojtjen e konsumatorit”, thonë inspektorët e ushqimit në Gjirokastër. Një vëmendje të veçantë në këtë drejtim inspektorët e ushqimit po i kushtojnë gjendjes së akulloreve që prodhohen në vend dhe atyre të importit, që tregtohen në rrethet e Përmetit, Tepelenës dhe Gjirokastrës. “Gjatë kontrolleve tona ne kemi konstatuar se akulloret që prodhohen në vend nuk përbëjnë shqetësim për shëndetin e konsumatorëve në lidhje me kohën e konsumit të tyre, ndërkohë që konsumatorët duhet të tregohen të kujdesshëm gjatë konsumimit të akulloreve të importit, duke qenë të vëmendshëm për skadencën e tyre”, thonë inspektorët e ushqimit në Gjirokastër. Objekt i kontrollit të inspektorëve të ushqimit ka qenë edhe gjendja e pijeve freskuese, ujërave të ambalazhuar etj.