E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulqizë, METE: Të mbyllet miniera

Drejtuesit e grevës paditen në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për dëmtim me pasoja të rënda të pronës publike dhe shkelje të sigurisë në punë, minatorët refuzojnë takimin në Tiranë me ACR

Prej 16 ditësh, 13 minatorë vazhdojnë grevën e urisë në galeritë e nëntokës, të vendosur për t'i shkuar në fund, deri në plotësimin e kërkesave të tyre ekonomike e sociale. Gjendja shëndetësore e grevistëve në nivelin e 14-të nën tokë vazhdon të përkeqësohet, ndërsa ACR propozon zhvillimin e një takimi sot në orën 11:00 në Tiranë. Por minatorët e refuzuan këtë propozim të firmës koncesionare, pasi kërkojnë që takimi të mbahet në Bulqizë. Nga ana tjetër Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka vendosur dje që të mbyllë përkohësisht minierën e Bulqizës, pas raportit të RISHM që konstatonte se miniera rrezikonte shembjen për shkak të mosfunksionimit të saj dyjavor.

METE

Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikes (METE) ka vendosur dje të pranojë kërkesën e Repartit të Inspektimit e të Shpëtim Minierave për të mbyllur përkohësisht Minierën e Bulqizës deri në një rehabilitim të plotë të saj. Kështu përgjatë periudhës së rehabilitimit, puna në miniere do të pezullohet. Sipas METE, kushtet në minierë janë të vështira dhe rrezikojnë jetën e minatorëve.

RISHM, padi penale drejtuesve të grevës

Reparti i Inspektimit dhe Shpëtimit të Minierave (RISHM), institucion në vartësi të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE), ka paditur dje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda drejtuesit e grevës së urisë të minatorëve të Bulqizës.

Sipas burimeve zyrtare pranë këtij institucioni, akuza kundrejt drejtuesve të grevës së urisë bëhet për shkak të dëmtimit, me pasoja të rënda, të pronës publike shtetërore dhe shkelje të rënda të sigurisë në punë, në veprimtarinë minerare, që cenojnë jetën dhe shëndetin e minatorëve.

Ngritja e padisë penale nga ana e RISHM-t vjen pas thirrjes që i bëri dje ky institucion minatorëve të Bulqizës për të lejuar inspektorët e këtij institucioni të kryenin survejim të gjendjes së minierës.

Ndërkohë, specialistë të RISHM u futën dje në minierën e Bulqizës. Specialistët kanë nisur menjëherë inspektimin e gjendjes së minierës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›