E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asgjësohen kanabis, policia dështon për kapjen e autorëve

Policia vijon operacionet anti-kanabis në të gjithë territorin e vendit. Kështu, janë asgjësuar 5826 rrënjë bimë narkotike kanabis sativa në fshatrat Mazrek dhe Shpor të Komunës Gur i Zi në Shkodër. Policia e Qarkut, në bashkëpunim dhe me Repartin e FNSH-së, në kuadër të masave për identifikimin dhe asgjësimin e bimëve narkotike, ka kryer një aksion në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ku si rezultat u bë asgjësimi me anë të djegies i 5826 rrënjëve bimë narkotike. Ndërkohë, në Berat, uniformat blu kanë zbuluar e asgjësuar 235 rrënjë kanabis sativa. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Beratit bëjnë të ditur se pas një informacioni të marrë në rrugë operative, janë zbuluar dy parcela të mbjella më bimë narkotike të llojit kanabis sativa, të cilat gjendeshin të fshehura në një pyll me shkurre pranë fshatit Rehovë të Komunës Tërpan, rreth 35 km në jug të qytetit të Beratit. Ndërsa në Tepelenë, në vazhdën e operacionit "Era e Jugut", në vendin e quajtur "Përroi i Gjonushit", përballë fshatit Nivicë në Tepelenë, është evidentuar një parcelë e hapur rishtas për të kultivuar bimë narkotike, e cila ishte e kultivuar me bimë narkotike kanabis sativa.

Në këtë parcelë ishin të mbjella 203 rrënjë bimë të dyshuara si kanabis sativa, të cilat varionin nga 70 centimetra deri në 150 centimetra të larta. Në momentin që policia ka shkuar në vendin ku ishte parcela, autori i kultivimit të bimëve narkotike, duke përfituar nga terreni mjaft i thyer dhe i vështirë, ka mundur të largohet. Ndërkohë është bërë asgjësimi në vend me anë të djegies, dhe u bë shpallja në kërkim e autorit, ku për arsye hetimi nuk bëjmë me dije të dhënat e tij, dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme për veprën penale të "Kultivimit të bimëve narkotike", parashikuar nga neni 284, i Kodit Penal.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›