E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asgjësohen parcela me kanabis, ikën pronari

TEPELENË- Një tjetër sasi e konsiderueshme bimë narkotike janë asgjesuar ditën e sotme në qarkun e Gjirokastrës. Bëhet fjalë për 1076 rrënjë kanabis sativa, të cilat janë gjetur të kultivuara në afërsi të fshatit Bënçë në rrethin e Tepelenës, ndërsa kultivuesi i tyre është shpallur në kërkim. Burime zyrtare të policisë kanë bërë të ditur se goditja u realizua në kuadër të operacionit "Hija e Lisit", pas mbledhjes së informacioneve të nevojshme. "Si rezultat i këtij operacioni, mbi fshatin Bënçë të komunës Qendër Tepelenë, në përroin e Ujit të Vjerr, u bë e mundur evidentimi i dy parcelave të hapura rishtas në anën e përroit për të kultivuar bimë narkotike. Në këto parcela ishin të mbjella 1076 rrënjë bimë të dyshuara si Kanabis Sativa, të cilat varionin nga 1 metër deri në 1.5 metra të larta"- thanë burimet policore.
Sipas tyre, në momentin që policia ka konstatuar parcelën, autori i kultivimit të bimëve narkotike nuk u gjet në parcelë. Parcelat janë mbajtur nën vëzhgim për disa ditë rresht nga shërbime të fshehta të policisë, por autori nuk ka shkuar në parcelë. Specialistët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në DPQ Gjirokastër, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative si dhe provave të gjetura në vendngjarje, në bashkëpunim dhe me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër kanë bërë dokumentimin me prova ligjore si dhe identifikimin e autorit të kultivimit të bimëve narkotike.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›