PS: Qeveria, asnjë masë për gripin e derrit
TIRANË- Partia Socialiste ka akuzuar qeverinë për mungesën totale të interesimit lidhur me situatën e gripit të derrit në vend. Gjatë një deklarate për shtyp, Ilir Beqja, ka thënë se "qeveria nuk ka kohë për t'u marrë me këto çështje, sepse Sali Berisha e ka mendjet tek rekordet vetjake të notit apo si do të ndajë portofolet e koalicionit të ri. Më keqja është se qeveria nuk ka as para për të përballuar situatën që pritet të vështirësohet, pasi fondet e kontigjencës po i përdor për të paguar shiritat elektoralë"
Sipas tij, shqiptarët edhe një herë dje mësuan se kanë mbi krye një qeveri të papërgjegjshme, e cila ka në qendër të vëmendjes interesat e pushtetit dhe jo të qytetarëve të saj.
Ai kujtoi deklaratën e ministres së Shëndetësisë, e cila raportoi për vaksinat që ende nuk janë porositur.
"Dje, opinioni publik mësoi se ende qeveria shqiptare nuk ka një plan të saktë e të qartë për vaksinimin grupeve më të rrezikuara të popullsisë. Dje, opinioni publik mësoi se qeveria shqiptare nuk ka bërë ende asnjë porosi për vaksinat, në një kohë që vetëm njëri prej prodhuesve të vaksinës (Glaxo Smith Kline) deklaron se ka lidhur kontratë me qeveri të 8 vendeve të ndryshme"- tha ai.
Beqja sqaroi se qeveria shqiptare nuk ka as me Organizatën Botërore të Shëndetësisë asnjë marrëveshje konkrete për ndonjë sasi vaksinash, përkundrazi ajo është në pritje të dhuratave që mund bëjë kjo organizatë.
Ndërkohë kujtoi edhe gjendjen e mjeruar të spitaleve dhe masave mbrojtëse për pandeminë.