E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryetarja e Kuvendit, takon ambasadoren britanike dhe atë turk

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli priti sot në takim ambasadoren e re të Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Fiona Mcilëham. Ambasadorja britanike shfrytëzoi rastin që t'i shprehte Kryetares së Kuvendit ngushëllimet e saj për humbjen e jetës së katër punonjësve të policisë gjatë kapjes së një personi në kërkim. Duke vlerësuar punën e policisë shqiptare në sfidën me krimin, ambasadorja theksoi se Mbretëria e Bashkuar është e vendosur të vazhdojë bashkëpunimin me një sërë projektesh aftësimi për policinë shqiptare. Kryetarja e Kuvendit, theksoi se reforma në gjyqësor është kyçe për luftën ndaj krimit, pasi puna e policisë ka nevojë për mbështetjen e të gjithë sistemit.
"Ishte një humbje e vërtetë. Përballja me krimin ka një çmim. Bashkërendimi i të gjitha institucioneve për të vënë kriminelët para drejtësisë mbështet dhe motivon policinë në përballjen e saj të ashpër me krimin," u shpreh Kryetarja Topalli.
Kryetarja e Kuvendit priti edhe ambasadorin turk Suphan Erkula në fund të mandatit të tij. Gjatë mandatit të tij zoti Erkula dha një kontribut të rëndësishëm në intensfikimin e marrëdhënieve miqësore dhe politike mes Shqipërisë dhe Turqisë duke realizuar 3 herë takime mes kryeministrave të të dy vendeve, pa folur për takimet e niveleve të larta mes kryetarëve të parlamenteve, ministrave, etj. Ai u shpreh i kënaqur që kishte kontribuar në zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike, ku ndër të tjera përmendi dyfishimin e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve. Pjesë e rëndësishme e bashkëpunimit midis dy vendeve u cilësua, ndër të tjera, ndërtimi i një vepre gjigande si rruga Durrës-Kukës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›