Ashpërsohen reduktimet e ujit në kryeqytet

Temperaturat e larta kanë bërë që të ashpërsohen reduktimet e ujit të pijshëm për banorët e kryeqytetit. Pothuajse gjatë tërë ditës Prishtina nuk ka ujë, dhe për këtë Ujësjellësi rajonal ''fajëson'' keqpërdoruesit e ujit dhe kërkesat e mëdha për ujë të pijes.
Zëdhënësja e Ujësjellësit rajonal “Prishtina”, Arjeta Mjeku thotë se gjendja më e vështirë është në Liqenin e Badovcit ku niveli i ujit është minus 9.5 metra, ndërsa në Liqenin e Batllavës niveli i ujit është minus 5 metra.
“ Problemi më i madh është se të gjitha ndërtimet e reja që po bëhen po lidhen me liqenin e Badovcit dhe nëse keqpërdorimet vazhdojnë në këtë formë, atëherë edhe nuk do të kemi rezerva të mjaftueshme të ujit, dhe gjendja mund të jetë alarmante sidomos për zonat periferike”, tha Mjeku, transmeton RTK.
Qytetarët ankohen për mungesë të ujit. Ata thonë se në këto ditë të nxehta vere, uji i pijshëm është i domosdoshëm.
Por ,që nga nesër, sipas Institutit Hidometeoroligjik të Kosovës, do të shënohet një ulje e temperaturave. Drejtori Sylë Tahirsylaj, paralajmëron edhe mundësi të reshjeve të shiut në disa zona.
Megjithatë, sipas zëdhënëses së ujësjellësit Prishtina, Arjeta Mjeku ulja e temperaturave dhe reshjet e kësaj periudhe nuk do të ndikojnë në gjendjen e furnizimit me ujë. Reduktimet sipas saj do të vazhdojnë gjatë gjithë verës, ngase kërkesat për ujë të pijshëm janë shumë të mëdha./indeksonline/