Hoxhaj: Kosova synon anëtarësimin në NATO

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, në një intervistë për magazinën kanadeze “Embassy”, ka thënë se Republika e Kosovës synon anëtarësimin e shpejt në NATO.
Por, sipas tij, anëtarësimit duhet t’i paraprijë ndryshimi i mandatit të FSK-së dhe më pas anëtarësimi në Programin e Partneritetit për Paqe.
“Sektori i sigurisë në Kosovës është në proces të ndryshimeve. Në muajt e ardhshëm pritet të ndryshojë mandati i FSK-së dhe në vitin tjetër do të kemi një emër dhe një substancë të re”, ka paralajmëruar Hoxhaj.
Sipas tij, në këtë proces Republikës së Kosovës i duhet mbështetja e partnerëve euro-atlantik.
“Kosovës i duhet mbështetja e Kanadasë në procesin e anëtarësimit në mekanizma të ndryshëm të sigurisë, në programin e Partneritetit për Paqe dhe në NATO”, ka shtuar ai.
Nga ana tjetër, gjatë vizitës së ministrit Hoxhaj në Otava, ai kishte marr mbështetje të fuqishme nga ministri i Jashtëm i Kanadasë, John Baird, në procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO.
“Kanadaja është mbështetëse e integrimit të shteteve të Ballkanit, duke përfshirë edhe Kosovën në strukturat euro-atlantike”, ka thënë ministri Baird./Indeksonline/