Ashpërsohen sanksionet ndaj Iranit

Paralajmërimi vjen pas shqetësimeve në rritje rreth qëllimit të programit bërthamor të këtij vendi.
Të hënën, Shtetet e Bashkuara e cilësuan Iranin “një shqetësim që kryesisht ka të bëjë me shpëlarjen e parave”.
Britania bëri të ditur se ka ndaluar të gjitha marrëdhëniet me bankat iraniane-përfshirë edhe Bankën Qendrore.
Kanada ndërkaq bëri të ditur se ka ndaluar eksportin e të gjitha mallrave, që do të mund të përdoreshin në industrinë kimike, të naftës dhe asaj të gazit në Iran, sikurse që ka ndaluar transaksionet financiare që po ashtu përfshijnë Bankën Qendrore.
Me këtë veprim, fuqitë perëndimore thuhet se synojnë të shtojnë trysninë ndaj Iranit, i cili bazuar në një raport të Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, ka potencial për krijimin e armëve bërthamore.
Në anën tjetër, autoritetet iraniane deklaruan se sanksionet e reja të shteteve perëndimore ndaj programit bërthamor të Iranit nuk do të kenë ndikim.
Zëdhënësi i ministrisë së jashtme iraniane, Ramin Mehmanparast, tha në një konferencë për media se sanksionet nuk përbëjnë asgjë më shumë “se sa një propagandë të luftës psikologjike”.
Teherani zyrtar pretendon se programi i tij bërthamor ka qëllime tërësisht paqësore.