E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ashton: BE e bindur, e ardhmja e Kosovës në union

Ashton inkurajoi vendet e rajonit të kultivojnë dialogun dhe bashkëpunimin rajonal, si pjesë e politikave që e shpien Ballkanin kah BE-ja.

Në kuadër të vizitës në rajonin tonë, Ashton ka qëndruar sot edhe në Prishtinë, ku ka zhvilluar një takime me përfaqësuesit ndërkombëtare në Kosovë. Gjithashtu, ajo është takuar edhe me kryeministrin, Hashim Thaçi, ku të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e lartë të pranisë ndërkombëtare.

Pavarësisht faktit se 5 nga 27 vende të BE-së nuk e njohin ende shtetin e Kosovës, Ashton ka thënë se ka një pajtueshmëri të plotë se Kosova dhe rajoni kanë perspektivë evropiane dhe paraqesin prioritet në agjendën politike të BE-së.

“Ajo që Bashkimi Evropian është absolutisht i bashkuar 100 për qind, është se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian”, ka thënë Ashton, duke rikujtuar përkrahjen që Brukseli i ofron Kosovës në fushën e sundimit të ligjit përmes misionit të EULEX-it dhe investimeve të vazhdueshme për zhvillimin ekonomik të saj, para se të bëhet anëtare e BE-së.

Në planin e brendshëm, ajo ka kërkuar nga kryeministri dhe Qeveria e Kosovës që të vazhdojnë bashkëpunimin me EULEX-in dhe t’i përkushtohen zhvillimit ekonomik në mënyrë që të sigurohen edhe investimet nga jashtë.

Ndërkohë, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se Kosova angazhohet për bashkëpunim rajonal dhe është e gatshme që, si dy shtete të barabarta, të bashkëpunojë edhe me Serbinë, në kuadër të procesit të integrimit të rajonit në strukturat euroatlantike.

Ashton në anën tjetër, i ka konfirmuar kryeministrit Thaçi se Bashkimi Evropian, brenda dy javësh do ta dërgojë në Kosovë një delegacion, i cili do të bisedojë për procesin e liberalizimit të vizave.

Gjatë kësaj vizite të shkurtër në Prishtinë, zyrtares së lartë të BE-së i është drejtuar edhe një letër e hapur nga Këshilli Kundër Procesit Gjyqësor ndaj Albin Kurtit. Përveç shqetësimeve që shprehen për shkallën, si thuhet, të ulët të përparimeve në fushën e sundimit të ligjit, ky Këshill shpreh shqetësime lidhur me rihapjen e procesit gjyqësor nga ana e EULEX-it ndaj Albin Kurtit dhe për mungesën e hetimit për vrasjen e dy demonstruesve nga Policia e Kombeve të Bashkuara, që pati ndodhur më 10 shkurt të vitit 2007.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›