E Diel, 1 Nëntor 2026

Vonesat për integrimin, shqiptarët fajësojnë politikën

Ky është rezultati i “Gallup International”, i publikuar sot në Tiranë. "Shqiptarët fajësojnë politikanët për vonesat në procesin e liberalizimit të vizave dhe integrimit të vendit në Bashkimin Evropian", thuhet në sondazhin me temë "Shqipëria drejt BE-së", të publikuar sot nga drejtori Ekzekutiv i "Gallup International", Robert Manchin.

Për realizimin e këtij sondazhi, janë pyetur 1 mijë qytetarë shqiptarë, që kanë shprehur opinionin e tyre mbi pritshmëritë nga integrimi i Shqipërisë në BE. Sipas sondazhit, vetëm 17% e të anketuarve mendojnë se faji është i Bashkimit Evropian për mosliberalizmin e vizave me Shqipërinë, ndërsa pjesa tjetër, 83% fajëson politikanët shqiptarë.

Gjysma e të anketuarve kanë besim se në të ardhmen liderët do të bëjnë atë që duhet për integrimin europian, ndërsa gjysma tjetër mendon se liderët nuk janë të përgatitur për këtë proces. Rreth 17% e të anketuarve janë shprehur se do të donin të jetonin jashtë vendit, ku 1/3-ta e tyre kanë përzgjedhur vendin fqinj, Italinë si vendin më të preferuar për të jetuar. Një numër i madh shqiptarësh do të donin të jetonin në Greqi dhe në SHBA. Sipas "Gallup International", nga sondazhet e zhvilluara në vendet e tjera të rajonit, si Kosova apo Maqedonia, rezulton se përqindja e personave që duan të jetojnë jashtë vendit është më e ulët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›