E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ashton: BE mbështet Kosovën

Nga Express më 23 shkurt 2011 në ora 19:37

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë një telefonatë nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, baronesha Catherine Ashton, ku është përgëzuar për formimin e kabinetit të ri qeveritar

"Baronesha Catherine Ashton me këtë rast ka përcjellë kryeministrit Hashim Thaçi urimet më të mira për zgjedhjen dhe konsolidimin e institucioneve të reja të Republikës së Kosovës. Ashton ka siguruar z. Thaçi për mbështetjen e Bashkimit Evropian për vizionin dhe përkushtimet e Republikës së Kosovës për implementimin e të gjitha kritereve për integrimin e saj në institucionet euroatlantike dhe aspiratën për perspektivën evropiane të Kosovës", thuhet një njoftim të Zyrës së Kryeministrit.

Ndërsa, Kryeministri Thaçi duke falënderuar për mbështetjen dhe përkrahjen nga Bashkimi Evropian, ka premtuar se institucionet e reja do të trajtojnë me prioritet vazhdimin e reformave të thella në politikë, ekonomi dhe legjislacion, me theks të veçantë në fuqizimin e sundimit të ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, luftën e pakompromis ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe integrimin e plotë të të gjitha komuniteteve në shoqërinë kosovare.

Me tutje kryeministri Thaçi ka pohuar se Qeveria e Republikës së Kosovës do të punojë me përkushtim për paqen dhe bashkëpunimin e mirë me fqinjët në rajon.

"Kryeministri Thaçi dhe baronesha Ashton janë pajtuar që të zhvillojnë një takim të përbashkët në një të ardhme të afërt", thuhet në fund të njoftimit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›