Ashton dhe Füle mirëpresin formimin e institucioneve
Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Catherine Ashton, dhe komisioneri i BE-së për Zgjerim, Štefan Füle, nëpërmes një deklarate të përbashkët, kanë përshëndetur formimin e Qeverisë së re të Kosovës dhe zgjedhjen e Presidentit.
“Ne presim të bashkëpunojmë për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës dhe të ndihmojmë në përmbushjen e perspektivës evropiane të Kosovës", thuhet në deklaratën, e cila iu është shpërndarë medieve nga Zyra e Komisionit Evropian në Kosovë.
Bashkimi Evropian pret nga qeveria e re që të trajtojë prioritetet në reforma, posaçërisht kërkon që të përforcohet administrata publike, të shtrihet sundimi i ligjit, dhe të sigurohet integrimi i të gjitha komuniteteve.
"Ne mirëpresim përkushtimin e qeverisë së re ndaj dialogut mes Prishtinës e Beogradit. Këtu ne gjithashtu do të punojmë së afërmi me Kryeministrin dhe ekipin e tij të ri", thekson deklarata.