E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ashton Dialogu Kosove-Serbi vetem per ceshtje praktike

Dialogu  i filluar në mes Kosovës dhe Serbisë është vetëm për çështje praktike dhe marrëveshjet do të arrihen vetëm atëherë kur Kosova dhe Serbia do të pajtohen për to. Këto komente  përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, bëri pas  një dreke pune me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi në Prizren.

“Ky dialog do të jetë vetëm për çështje praktike që t’u lehtësojë jetën qytetarëve. Ne shpresojmë se të dy palët do të arrijnë marrëveshje. Puna jonë është të ndjekim këtë process. Deri tani është bërë punë e mirë ne mes kryenegociatores dhe Stefanoviç. Ne shpresojmë që së shpejti do të arrihet marrëveshja”-tha Ashton.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë hap perspektivën europiane për të dyja  vendet.

“Ne kemi besim se vetëm një bashkëpunim i mirë rajonal mes Kosovës dhe Serbisë, një fqinjësi e mirë hap të ardhmen e sigurt drejt Bashkimit Europian. Prandaj edhe zgjidhja e çështjeve praktike kërkon një model europian, një model ky që nuk është duke munguar edhe nga mbështetja e baroneshës Ashton”- tha Thaçi.

Kryediplomatja europiane theksoi se rrugëtimi drejt Bashkimit Europian është një rrugë e gjatë që kërkon përmbushjen e shumë kushteve.

Sala Mustafa

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›