Ashton: KQZ po zbaton ligjin, palët politike të mbështesin përfundimin e procesit zgjedhor

Flet zëdhënësja e përfaqësueses së Lartë të Punëve të Jashtme dhe Politikës për Siguri në Bashkimin Europian
Zëdhënësja e përfaqësueses së Lartë të Punëve të Jashtme dhe Politikës për Siguri në Bashkimin Europian, Baroneshës Catherin Ashton, Maja Kocijancic thotë se administrimi i zgjedhjeve në Shqipëri po kryhet sipas ligjeve në fuqi dhe si e tillë KQZ duhet lejuar të çojë në fund detyrën që i ngarkon ligji. Përmes një interviste televizive për mediat shqiptare në Bruksel, Kocijancic tha se Baronesha mbetet e vendosur se, Shqipërisë i nevojitet stabiliteti politik në mënyrë që të bëjë progres në reformat e integrimit evropian
Përfaqësuesja e lartë për politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, Catherine Ashton, në mesazhin e saj drejtuar forcave politike në Shqipëri, i bën apel atyre që të mos venë në rrezik jetën e qytetarëve. A po vihet në rrezik jeta e tyre?
Është e rëndësishme të thuhet dhe të përsëritet ajo që kemi thënë në të shkuarën, se liderët politikë në Shqipëri kanë një përgjegjësi të veçantë për të ardhmen e Shqipërisë dhe ata duhet të veprojnë me përgjegjësi ndaj qytetarëve që i kanë zgjedhur ata dhe të bëjnë ç’është e mundur që Shqipëria të bëjë progres me reformat e integrimit evropian. Dhe në këtë moment, kur po pritet rezultati përfundimtar i zgjedhjeve të 8 majit, liderët politikë, duhet të punojnë bashkë dhe ata duhet që të mbështesin përfundimin e procesit zgjedhor me qetësi dhe përgjegjësi. Kjo duhet të bëhet me kuadrin ligjor dhe me kuadrin institucional ekzistues.
Bashkimi Evropian, ka bërë thirrje për një dialog konstruktiv brenda institucioneve. Ne po shohim që në vend te dialogut, ka aksione në rrugë. A është kjo në kontradiktë me apelin tuaj?
Ajo për të cilën ne kemi insistuar, është se diferenca midis dy kandidatëve është e ngushtë. Por kjo nuk ka ndodhur vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera si SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe në shtete të tjera anëtare. Kjo mund të ndodhë dhe ka mënyra për ta menaxhuar këtë situatë. Ekziston një kornizë ligjore që e bën të mundur këtë. Ne mendojmë, se zgjidhja në këtë drejtim, është respektimi i rregullave dhe rregullat në këtë rast janë shumë të qarta. Në rastin e një rezultati të ngushtë, ka mënyrë për ta zgjidhur situatën dhe që të dyja palët punojnë së bashku për ta gjetur zgjidhjen. Kjo është mënyra evropiane e zgjidhjes së problemeve.
Ndërkohë, institucioni që është në qendër të vëmendjes tani është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Si e shihni punën e këtij komisioni. Ne kemi dëgjuar edhe nga zëdhënësja Buttler, të flasë për rolin e këtij institucioni, duke thënë se duhet lënë që të kryejë funksionin e tij...
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duhet të veprojë në mënyrë të pavarur dhe në përputhje me kornizën ligjore, si dhe të kryejë detyrën e tij për zbatimin e plotë të rregullave. Liderët politikë nga ana tjetër, duhet që të lejojnë vazhdimin e procesit, për të bërë të mundur që finalizimi i procesit të kryhet në kohë normale duke respektuar rregullat. Ne duam të shohim rezultatin dhe ne duam të shohim Shqipërinë që të kalojë këtë fazë, të gjejë zgjidhjet dhe të merret me çështjet e vërteta që janë reformat e domosdoshme për avancimin e vendit.
Ne pamë që Presidenti Barroso anuloi vizitën, duke konsideruar se nuk është koha e përshtatshme për takime me liderët politikë në këto rrethana. A nuk po paguajnë qytetarët shqiptarë një çmim të shtrenjtë për shkak të politikës?
Ne e sqaruam, që presidenti Barroso së bashku me Komisionerin Fyle, anuluan vizitën e tyre, pasi procesi elektoral është në vazhdim. Nuk është momenti i përshtatshëm për të garantuar suksesin e vizitës, duke qenë se qëllimi i vizitës, ishte diskutimi mbi reformat evropiane të Shqipërisë në një moment kur Komisioni Evropian po finalizon raportin e saj. Por është e rëndësishme që të dallohet angazhimi ynë për të mbështetur qytetarët e Shqipërisë dhe kjo është diçka që ne e kemi thënë vazhdimisht. Për ne, reformat e integrimit evropian të Shqipërisë, i shërbejnë së pari qytetarëve të Shqipërisë dhe përgjegjësia për këto është tek liderët politikë. Bashkimi Evropian, është i gatshëm që të ndihmojë, por liderët politikë duhet të sillen me përgjegjësi dhe të gjejnë zgjidhje situatës.
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian, do të diskutojnë për Shqipërinë të hënën. Mund ta konfirmoni këtë?
Po, është e vërtetë që ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian do të diskutojnë për situatën në Shqipëri, për shkak të shqetësimeve serioze lidhur me situatën aktuale në vend.
A do të ketë thjesht diskutim apo pritet ndonjë konkluzion?
Momentalisht, nuk janë parashikuar konkluzione, por ato nuk janë të nevojshme për të dërguar një mesazh të fortë. Mesazhi i ministrave do të jetë shumë i qartë dhe do të jetë në të njëjtën linjë me ato që thashë më sipër.
Bashkimi Evropian, insiston vazhdimisht për një dialog konstruktiv midis qeverisë dhe opozitës. A është situata aktuale shumë larg nga të konsideruarit si e tillë?
Liderët politikë në Shqipëri, mund të tregojnë pjekuri politike demokratike për të gjetur një zgjidhje. Duhet të tregohet vullnet për ta bërë këtë. Kjo është ajo që duhet të ndodhë. Nëse Shqipëria do të bëhet një ditë kandidate për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ky është një nga elementet e domosdoshme.