Letra e Kadaresë ka adresë të gabuar
Ditën kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbyllte procesin e numërimit të votave për kryeqytetit, pa u ndalur nga dhuna e rrugës që vinte prej Edi Ramës, dhe do të sanksiononte votën e tiranasve për ndryshimin e drejtimit të bashkisë së kryeqytetit, shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare, i bën thirrje kandidatit fitues Lulzim Basha, që të hapë rrugë e të japë dorëheqjen. Arsyetimet e letrës rrotullohen rreth fatit të zi që iu rezervoka Shqipërisë në rast se legjitimohet ky rotacion, për shkak se shkrimtari paska informacione se Edi Rama s’paskësh për ta pranuar këtë “fitore të paqartë” të kundërshtarit e paska për t’u angazhuar për kataklizmën...
Zbatimi i parimit “hapi rrugë budallait” është tashmë një tezë e stërprovuar se s’prodhon asgjë pozitive dhe shpeshherë këtë leksion të thjeshtë e deshifrojmë fort thjeshtë edhe në librat e Ismail Kadaresë. Por është bash vetë shkrimtari që e ka theksuar me dhjetëra herë se s’e ka fort pasion politikën, pasi ligjet e saj janë fort me reliev të fortë, të cilat s’i përshtaten një gjyqtari me skrupuj estetikë si shkrimtari. Megjithatë, për herë të dytë brenda këtij viti, Kadare e kapërcen këtë vijë të kuqe që ia kishte vendosur vetes dhe shprehet për ngjarjet e politikës së ditës, gjithmonë duke i bërë thirrje opinionit publik që të ushtrojë ndikimin e vet, që axhenda e politikës të ecë në hullinë e dëshiruar prej tij. Herën e parë, lidhur me ngjarjet e 21 janarit, shkrimtari Kadare u ndal tek zezona e mbetjes tek Bulevardi Dëshmorët e Kombit të jetës së 4 shqiptarëve, dhe e tha pa ekuivok se ishte irrilevant fakti se ata e humbën jetën gjatë një grumbullimi të dhunshëm që po synonte të pushtonte selinë e Këshillit të Ministrave. Pra, shkrimtari vendosi mitingun e dhunshëm në një prioritet më të lartë sesa integriteti i institucionit më të rëndësishëm kushtetues të vendit.
E marr me mend se jeta është një kufi i mbramë që ofron shumë peshë kreative për shkrimtarin, por për herë të dytë brenda pak muajsh, Ismail Kadare ndërhyn në një proces jetik për demokracinë shqiptare, siç janë zgjedhjet e përgjithshme (paçka se vendore) dhe i bën thirrje Lulzim Bashës, kandidatit fitues të zgjedhjeve në Tiranë që të japë dorëheqjen, për ta shpëtuar vendin nga një përplasje civile. Shqetësimi për situatën paszgjedhore është i ligjshëm, por ai vjen së pari nga demonstrimi në rrugë i Edi Ramës (me bllokim rrugësh së pari) se s’ka për ta pranuar rezultatin që do të vijë nga KQZ-ja. Kjo zanafillë e problemit nuk merret në konsideratë nga shkrimtari Kadare, i cili ka vendosur të zhvillojë një komunikim politik publik, duke prishur disi rregullat e “par condicio”-s, pra baraslargësisë mes kandidatëve. Jo, shkrimtari ynë i madh e anashkalon faktin se Edi Rama është derdhur rrugëve, duke mos pranuar rezultatin e institucioneve dhe i adresohet vetëm kandidatit (sipas të gjitha gjasave fitues) që të tërhiqet. Baraslargësia shkelet edhe për faktin se s’merret fare parasysh historia e dy kandidatëve, as karriera e tyre e aq më tepër, as fushatat që ato ofruan për kryeqytetin. Që Edi Rama ka 13 vjet që është në pushtet, kjo s’do as mend e as kalem dhe Ismail Kadare e di fort mirë këtë gjë, pasi edhe më herët (viti 2004) ka qenë shprehur për qeverimin e Tiranës. Dihet gjithashtu se prej vitesh Edi Rama s’është më i interesuar për bashkinë e kryeqytetit, bile pas 4 vjet bllokimi të punës, gjatë fushatës, i madh e i vogël e mori vesh se Edi Rama, 4 vitet e ardhshme (17 në 20 vjet tranzicion), i kërkonte sërish për pushtet personal e si trampolinë për qeverinë e përgjithshme, pasi s’kishte ndërmend të ushtronte për asnjë moment me kohë të plotë funksionin e kryebashkiakut të kryeqytetit. Kjo është thënë hapur e publikisht dhe një shkrimtar që ka vendosur të ndjekë politikën e ditës natyrisht që e ka marrë vesh.
Nga ana tjetër, në letrën e Ismail Kadaresë injorohet fushata e Lulzim Bashës dhe kontrata që ai nënshkroi me kryeqytetasit, për një angazhim 4 vjeçar specifik me kryeqytetin, angazhim që u votëbesua (pa asnjë kontestim), në mënyrë të paprecedentë e historike në historinë e zgjedhjeve nga 125 mijë votues. Nxjerrja nga kolapsi e kryeqytetit dhe çlirimi i tij nga ndikimet ditore të “politikës së madhe” ishte një marrëveshje që u vlerësua masivisht jo veç nga analistët dhe komentatorët, por së pari nga banorët e kryeqytetit. Por kjo zanafillë, prej nga erdhi edhe vota masive për Lulzim Bashën sërish është irrilevante për shkrimtarin Ismail Kadare, i cili, duhet thënë se në mënyrë krejt jopolitike, i kërkon atij që të tërhiqet, siç thotë ai “për nderin e përbashkët”.
Por nderi i përbashkët është nderi i të gjithë shqiptarëve, rrjedhimisht edhe nderi i kandidatit tjetër, Edi Rama. Kur parakushtet që sjellin apelin që Lulzim Basha të tërhiqet kanë lidhje me marrëzitë politike që shkakton rivali i tij për bashkinë e Tiranës, natyrisht nderi i tërheqjes së Lulzim Bashës do ishte nderi i përbashkët i shqiptarëve, përjashto Edi Ramën, të cilit do t’i mbetej turpi...por merret vesh, së bashku me bashkinë.
“Nderi i përbashkët” do të kërkonte së pari një apel të përbashkët të Ismail Kadaresë për të dy kandidatët që po ndeshen për një grusht votash, por letra e tij e djeshme s’ka qenë as telefonatë e as këshillë miqësore për njërin nga kandidatët, për të cilin lihet të kuptohet se ka qenë kanakari i tij në këto zgjedhje. Ajo ka pasur përzgjedhjen formale të letrës publike me synimin për të ndikuar në opinionin publik. Pavarësisht aversionit që kemi ndaj letrave publike, si pararendëse të dacibao-ve e revolucionit kulturor, përzgjedhja e Ismail Kadaresë ka adresë të gabuar. Apeli do të duhej t’i drejtohej një njeriu që po kërkon që në 20 vjet tranzicion të garantojë 17 vjet pushtet, e që në këtë fazë finale po synon të strukturojë një forcë politike antievropiane e antiperëndimore, të mbushur dingas me pinjollë bllokmenësh të brezit të dytë. Me ngjizje tek celula më e zezë e enverizmit, si celula e kolekëve dhe me përpjekjet edhe formale për të kërkuar lart e poshtë një zonjë të zezë (kujtojmë martesat e dështuara) që të mund ta ndihmojë në këtë fazë finale të sabotimit të udhës së Shqipërisë drejt Evropës, Edi Rama do të duhej të ishte adresa e vërtetë e shqetësimit të Ismail Kadaresë. Bllokimi i rrugëve dhe kërcënimi i integritetit të KQZ-së do të duhej t’i kujtonte shkrimtarit të madh jo veç mitingjet e tij anti-NATO, jo veç paralizimin e kryeqytetit, por së pari refuzimin e tij të pandërprerë për të pranuar normalitetin demokratik në Shqipëri. Këtë mesazh e gjejmë në të gjitha forumet e intelektualëve, por e hasim të anashkaluar tek letra e djeshme e Ismail Kadaresë. Letra kishte adresën e gabuar dhe s’e ndihmon Tiranën të dalë nga ngërçi e as Shqipërinë të përshpejtojë udhëtimin e saj për kthimin në familjen perëndimore. Një zhbalancim i tillë mund të jetë hasur shpesh tek shkrimtarët që kanë tentuar të prodhojnë politikë. Shembulli i Fan Nolit është klasik, megjithatë, duke kredituar bindjen se letra e Ismail Kadaresë s’ka pasur prapavijë politike, por ka shprehur veç një shqetësim intelektual, ajo është një zhgënjim, të cilin do të mund të na e lehtësojë sadopak veç një sqarim që do të korrigjojë adresë e do të sjellë “par condicio”-n që shqiptarët (minimumi) presin nga krenaria e tyre e letërsisë.