E Diel, 1 Nëntor 2026

Ashton: Kujdes zgjedhjet, janë testi kryesor për integrimin

Jemi të zhgënjyer nga zhvillimet e fundit të politikës

ashton me berishenShefja e diplomacisë evropiane, Baronesha Catherine Ashton shprehu edhe një herë zhgënjimin e ndërkombëtarëve për ngjarjet e fundit të politikës në vend. Gjatë takime me përfaqësuesit më të lartë të shtetit, Ashton theksoi rëndësinë e zgjedhjeve të 23 qershorit për të ardhmen evropiane të Shqipërisë.
Deklarata
Dje ne shprehëm publikisht shqetësimin tonë për pasojat e mundshme tek besimi i qytetarëve në procesin zgjedhor. Është përgjegjësia e të gjithë politikanëve që të sigurojnë pavarësinë e institucioneve dhe të bëjnë të mundur që institucionet të gëzojnë besimin e të gjithëve. Për BE-në është e një rëndësie thelbësore, që zgjedhjet parlamentare të këtij viti të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe ato evropiane. Ky do të jetë një test për mirëfunksionimin e institucioneve demokratike të vendit dhe ecurinë e mëtejshme të progresit drejt BE-së, u shpreh Ashton. Në vijim të deklaratës së saj, Baronesha Ashton u ndal edhe tek qëndrimi i Shëipërisë në rajon. Që të ruhet roli konstruktiv i Shqipërisë në rajon, duhet që të shmanget përdorimi i diskursit nacionalist. Është e nevojshme që Shqipëria ta vazhdojë rolin e vet tradicional të një aktori të ndershëm dhe konstruktiv në rajon. Ne kemi nevojë për ndihmën tuaj në përpjekjet tona të vazhdueshme për të pasur një rajon të stabilizuar dhe për të na ndihmuar që rajoni të ecë përpara”, tha Ashton. Teksa u ndal tek proceset integruese të Shqipërisë, Ashton tha se ecuria e tyre është në dorë të politikës shqiptare. Progresi drejt BE-së është në duart tuaja. Ne kemi nevojë të shikojmë një historik të qëndrueshëm, veçanërisht për çështje që kanë të bëjnë me korrupsionin dhe luftën kundra krimit të organizuar, siç edhe është thënë në mënyrë të herëpashershme dhe së fundmi në konkluzionet e mbledhjes së Këshillit Evropian në dhjetor, deklaroi Baronesha Catherine Ashton. Gjatë vizitës së saj në Tiranë e cila zgjati më tepër se 5 orë, diplomatja Ashton zhvilloi takime me Presidentin, Bujar Nishani, kryeministrin, Sali Berisha dhe kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama.

Nishani-Ashtonit: Kemi kapacitete për të zhvilluar zgjedhje të lira
Gjatë takimit me Presidentin, Bujar Nishani Shefja e diplomacisë evropiane, Baronesha Catherine Ashton u shpreh se ndjehet e inkurajuar nga vendosmëria e Shqipërisë në realizimin e reformave dhe nënvizoi se ndonëse rrugëtimi evropian është i vështirë, eksperienca e vendeve paraardhëse ka treguar se ai ia vlen. Baronesha Ashton shprehu interesimin e saj për procesin zgjedhor në Shqipëri duke kërkuar që të kryhet një proces zgjedhor i besueshëm, veçanërisht për votuesit. Nga ana e tij Presidenti Nishani shprehu angazhimin e Shqipërisë për të përmbushur standardet e integrimit dhe përgjegjësinë për të qenë anëtare e denjë e Bashkimit Evropian, duke falenderuar Bashkimin Evropian dhe personalisht Baroneshën Ashton për mbështetjen dhe inkurajimin e vendeve të rajonit dhe veçanërisht të Shqipërisë në proceset demokratike dhe të integrimit. Kreu i shtetit garantoi se Shqipëria ka kapacitetet institucionale dhe infrastrukturën e nevojshme për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme në përputhje me standardet evropiane. Sfida e vetme për tu kapërcyer mbetet sjellja e partive politike gjatë procesit zgjedhor dhe pas zgjedhjeve.

Berisha-Ashton: Mbështetje për integrimin në BE
Jam sot këtu për t’ju shprehur drejtpërsëdrejti juve zoti Kryeministër, vendosmërinë e BE-së dhe timen personalisht, për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE”, kështu i është drejtuar Përfaqësuesja e Lartë e BE për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Baronesha Catherine Ashton në takimin me kryeministrin Berisha. Gjatë takimit u vlerësuan reformat, përpjekjet dhe arritjet e rëndësishme të kësaj periudhe në rrugën e integrimit. Kryeministri Berisha vlerësoi e shprehu mirënjohjen e thellë për të gjithë mbështetjen, ndihmën financiare e të gjithanshme që BE-ja i ka dhënë Shqipërisë gjatë kësaj periudhe. Kryeministri theksoi gjithashtu se ruajtja e parimit themelor të Kodit Zgjedhor të balancimit të KQZ-së dhe komisioneve të tjera dhe integritetit të anëtarëve të KQZ-së dhe administratës zgjedhore është një garanci vendimtare për një proces në përputhje me ligjin, që siguron besimin e të gjitha palëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›