E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Anëtarësimi i Shqipërisë në BE, prioritet absolut i qeverisë dhe PD-së, mandatin e ardhshëm

17-04-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha pret Zëvendëspresidenten e KE Catherine Ashton
 
Ashton: Kam dashur të vija edhe më parë në vendin tuaj të mrekullueshëm dhe jam sot, këtu, për t’ju shprehur drejtpërsëdrejti juve zoti Kryeministër, vendosmërinë e BE-së dhe timen personalisht, për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Ne besojmë fuqishëm se e ardhmja e Shqipërisë është e mbetet Bashkimi Europian

Kryeministri Berisha zhvilloi dje një takim me Zëvendëspresidenten e Komisionit Europian dhe Përfaqësuese e Lartë e Bashkimi Europian për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, baroneshën Catherine Ashton. Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha vlerësoi vizitën e parë të baroneshës Ashton si një vizitë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe një kontribut i çmuar në marrëdhëniet e ngushta të Shqipërisë me Bashkimin Europian dhe një shprehje e qartë e angazhimit dhe mbështetjes së BE-së për përpjekjet e Shqipërisë për integrimin në BE.
Baronesha Ashton e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, duke i pohuar se edhe për të është një kënaqësi e veçantë që ndodhet sot në Shqipëri. “Kam dashur të vija edhe më parë në vendin tuaj të mrekullueshëm dhe jam sot, këtu, për t’ju shprehur drejtpërsëdrejti juve zoti Kryeministër, vendosmërinë e BE-së dhe timen personalisht, për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Ne besojmë fuqishëm se e ardhmja e Shqipërisë është e mbetet Bashkimi Europian”, u shpreh Ashton.
Në përgjigjen e tij, Kryeministri Berisha e siguroi Ashton se për të dhe për qeverinë shqiptare, anëtarësimi i Shqipërisë në BE, marrja e statusit të vendit kandidat dhe të gjitha hapat e tjera të lidhura me këtë proces janë dhe mbeten prioritet absolut i punës së qeverisë dhe i programit të Partisë Demokratike dhe koalicionit për katër vitet e ardhshme, si projekti më madhor dhe si e ardhmja më e mirë dhe më e sigurt e qytetarëve shqiptarë.
Në takim u vlerësuan reformat, përpjekjet dhe arritjet e rëndësishme të kësaj periudhe në rrugën e integrimit.
Kryeministri Berisha vlerësoi e shprehu mirënjohjen e thellë për të gjithë mbështetjen, ndihmën financiare e të gjithanshme që BE-ja i ka dhënë Shqipërisë gjatë kësaj periudhe.
Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin për të falënderuar Ashton edhe për kontributin e saj thelbësor e jashtëzakonisht të rëndësishëm në zhvillimin e negociatave midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, të cilat Kryeministri i cilësoi si jashtëzakonisht të rëndësishme, jo vetëm për marrëdhëniet bilaterale midis këtyre dy vendeve, por edhe për paqe e stabilitet të qëndrueshëm të të gjithë rajonit.
Kryeministri Berisha e siguroi zonjën Ashton se qeveria shqiptare është e vendosur që zgjedhjet e 23 qershorit të jenë zgjedhjet më të mira të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri, konform standardeve ndërkombëtare. Korniza ligjore, e përmirësuar mbi bazën e rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe e bazuar tërësisht në sugjerimet e opozitës, sistemi i saktë dhe transparent i numërimit, si dhe rritja e numrit të qendrave të votimit dhe numërimit, për shkurtimin drastik të kohës  së votimit, numërimit dhe shpalljes së rezultateve janë garanci solide, e padiskutueshme, për një proces zgjedhor konform të gjitha standardeve ndërkombëtare. Kryeministri theksoi gjithashtu se ruajtja e parimit themelor të Kodit Zgjedhor të balancimit të KQZ-së dhe komisioneve të tjera dhe integritetit të anëtarëve të KQZ-së dhe administratës zgjedhore është një garanci vendimtare për një proces në përputhje me ligjin, që siguron besimin e të gjitha palëve.
Më tej, në takim u diskutua gjithashtu edhe për zhvillimet e fundit në rajon. Kryeministri Berisha i rikujtoi baroneshës Ashton vendosmërinë e Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare, për të vijuar rolin e moderuar e të dedikuar ndaj promovimit të paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit në rajon. Në këtë aspekt, Berisha vlerësoi rolin e baroneshës Ashton dhe BE-së në shërbim të nxitjes së bashkëpunimit rajonal e integrimit të vendeve të tij. Kryeministri Berisha theksoi se çlirimi prej paragjykimeve të çdo lloji do të ishte shërbimi më i mirë që do t’i bëhej marrëdhënieve midis këtyre vendeve, si dhe ecurisë së projektit të përbashkët të integrimit europian dhe atyre rajonal.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›