Rama: Berisha po qëndron në pushtet falë tre mercenarëve të majtë
Rama-Berishës: Edhe sikur ti numërosh votat në shtëpi prapë do humbasësh
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama e cilësoi si të turpshëm votimin e Kuvendit për zëvendësimin e anëtarit të LSI-së në KQZ. Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, Rama i cilësoi si mercenarë të verbuar prej joshjeve të pushtetit të korrupsionit, tre deputetët e PS-së të cilët votuan pro nismës së mazhorancës.
Deklarata
Duke iu referuar kësaj çështjeje, Rama shprehu mirënjohjen e tij për qëndrimet e mbajtura nga SHBA-të dhe ndërkombëtarët. Ajo që ndodhi dje (të hënën) në Kuvendin e Shqipërisë nuk ka goditur vetëm Kushtetutën, zgjedhjet, KQZ, por ka goditur Shqipërinë në sytë e miqve dhe partnerëve. Një akt tipik për një sundimtar të marrë fund që rri në këmbë vetëm falë një grupi mercenarësh. Mirënjohje SHBA-së dhe BE-së për qëndrimin e qartë dhe të prerë për aktin brutal të njëanshëm që ka hapur edhe gropën ku do të prehet me turp pushteti i tij. Seanca e djeshme(e së hënës) nga ana e qeverisë, e shumicës së përbërë nga deputetë që e ndjekin në mënyrë të verbër dhe nga mercenare të verbuar prej joshjeve të pushtetit të korrupsionit ishte një fotokopje e seancës së zgjedhjes se presidentit në mars të vitit 1997, për nga hapësira tërësisht e izoluar, qoftë së brendshmi dhe qoftë së jashtmi në të cilën u zhvillua, tha Rama.
Zgjedhjet
Duke u ndalur tek zgjedhjet e 23 qershorit, kreu i PS-së u shpreh i bindur në një fitore të thellë të koalicionit opozitar, ndërsa shtoi se asnjë manovër e qeverisë nuk do të ndryshojë rezultatin e zgjedhjeve. Kryeministri në ikje po e përjeton keq e më keq verën e një vetmie të madhe, ku ka mbetur pa një aleat serioz, fillikat si në vitin 97, i rrethuar nga qorra dhe mercenarë përballë një furie popullore që do ti japë fund qëndrimit të tij në 23 qershor. Për ne nuk ka asnjë ngurrim, e kemi ditur që në krye të erës se kë kemi përballë, e dimë po ashtu se sot jemi më të fortë se asnjëherë dhe si asnjëherë më parë të gjitha manovrat e paligjshme të Saliut nuk kanë asnjë shans ta ndryshojnë fatin e zgjedhjeve. Do të rrijë në pushtet deri në 23 qershor falë këmbës së Saliut dhe 3 këmbëve të marra nga rruga e mercenarëve. Edhe sikur në shtëpi ti numërojë votat, Saliu do të largohet nga pushteti me votë plebishitare, deklaroi, Edi Rama.
PD: Rama po trillon nga frika e humbjes së zgjedhjeve
Partia Demokratike ka reaguar pas deklaratave të bërë nga kreu i PS-së, Edi Rama në mbledhjen e grupit parlamentar socialist. Deputeti demokrat, Gerti Bogdani tha e kryesocialisti Rama me anëtarin tashmë të shkarkuar të KQZ-së Ilirjan Muho synonte të përsëriste skenarin e vitit 2003. Ne dëgjuam më shumë ankesa absurde nga z. Rama, por asnjë kundërshtim të vetëm të bazuar në ligj. Vetëm z. Rama i lidhur vet këmbe e kokë me botën e krimit mendon se është më se e pranueshme të gënjesh para një Komisioni Parlamentar te fshehësh lidhje me krimin për të cilat je shkarkuar me dekret presidencial nga puna sepse ke lënë në liri një njeri i cili është dënuar në Milano me burgim të përjetshëm për armëmbajtje pa leje, vrasje dhe prostitucion, tha Bogdani. Sipas deputetit të PD-së Rama trillon justifikime nga frika e humbjes së zgjedhjeve. Si gjithmonë, z. Rama vazhdon të sajojë nga salloni i tij mavi justifikime se pse do humbasë, njësoj siç bëri në vitin 2007 e 2009 dhe në vitin 2011 kur qytetarët nuk e përkrahën. Ai besonte se edhe kësaj radhe me Ilirianin e tij do të përgatiste skenarin që përdori në zgjedhjet e vitit 2003 kundër avokatit Ngjela por regjistroj humbjen e merituar të radhës, deklaroi deputeti demokrat, Gerti Bogdani.