E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspozohet në Durrës antikiteti në miniaturë

Amfiteatri antik dhe torra veneciane, muret mesjetare, forumi rrethor dhe mozaiku "Bukuroshja e Durrësit" tashmë kanë miniaturat e tyre në Muzeun Etnografik, punuar nga mjeshtri i gdhendjes, Isa Shuaipi. Bocetet prej mermeri dhe guri të monumenteve domethënëse të qytetit u vendosën në çardakun e Muzeut Etnografik të Durrësit, i njohur si shtëpia ku ka kaluar vitet e fëmijërisë aktori i madh Aleksandër Moisiu. Në një ceremoni organizuar me këtë rast, të pranishmit kanë vlerësuar punën krijuese të artistit Isa Shuaipi, duke nënvizuar mbështetjen e plotë për artizanët dhe promovimin e mjeshtërive të tyre në dobi të qytetit. Sipas tyre punimet janë një shprehje e dashurisë për vendlindjen dhe meritojnë vëmendjen e institucioneve, që duhet të kujdesen për prodhimin e suvenireve për Durrësin. Skulptori Qazim Kërtusha tha se artisti, duke përdorur mijëra gurë dhe copëza mermeri ka risjellë disa nga monumentet më të bukura të Durrësit antik. Punimet kanë një peshë prej 50-100 kg, çka dëshmon punën këmbëngulëse të Shuaipit. Mjeshtri amator Isa Shuaipi ka punuar më shumë se 5 vjet për krijimin e miniaturave. Ekspozita "Monumente të kulturës" do të qëndrojë e hapur një muaj, duke joshur në Muzeun Etnografik mijëra turistë dhe pushues vendas e të huaj.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›