Asimetrike
Nga Skender Minxhozi
Dy nene të një statuti janë sot shumë popullore në fjalorin publik: Neni 26 dhe Neni 28. Fjala është për Statutin e Partisë Socialiste, kurse nenet e mësipërme flasin për ndërprerjen e mandatit të Edi Ramës. Me një zell të pazakontë, këto dy formulime juridike janë analizuar, debatuar dhe diskutuar në dhjetëra artikuj, emisione televizive dhe lajme agjencish sapo u bë e qartë se socialistët i kishin humbur zgjedhjet e 28 qershorit. Është normale që fati i kreut të opozitës të jetë një temë tërheqëse për mediat. Sidomos kur kreu i opozitës është njëherësh edhe kryetar i PS-së, një pozicion që prej vitesh tërheq pas vetes një vazhdë të gjatë përplasjesh politike dhe debati publik. Edi Rama nuk bën përjashtim nga kjo “procedurë” ku diskutimi brenda institucioneve të partisë përzihet me titujt e gazetave, ndërsa kundërshtari i tij politik vijon i qetë turin postelektoral duke prerë shirita dhe duke ironizuar krahun tjetër. Në këtë klimë sureale të triumfit të gjithçkaje që deri më 28 qershor konsiderohej si e vjetër dhe në ikje, ka vend të shihet me qetësi dhe objektivitet ajo që po ndodh në PS sot, por edhe ajo që s’ka ndodhur kurrë në PD në këto vite. Një përballje që nxjerr në pah një kontrast të thellë të një pale që debatin e brendshëm e ka kthyer në mënyrë jetese dhe një pale tjetër ku tradicionalisht flet vetëm njëri dhe të tjerët mbajnë shënim.
Historia politike e Shqipërisë ka treguar se ka një asimetri të plotë në trajtimin e asaj që ndodh brenda dy partive më të mëdha në vend, PS e PD. Sipas një metri të padrejtë dhe të shtrembëruar në vite, një pjesë jo e vogël e mediave dhe e opinionit publik ka qenë shumë rigoroze ndaj socialistëve kur ka qenë fjala që ata të aplikojnë norma të shkruara apo edhe të pashkruara në momente kyçe politike për ta dhe për vendin. Tetëvjeçari i qeverisjes socialiste, 1997-2005, ka pasur brenda tij dy dorëheqje vullnetare kryeministrash pas situatash kolapsi, një turmë të madhe anëtarësh qeverie që janë ndërruar duke ua lënë vendin të tjerëve, ndërkohë që pas zgjedhjeve të vitit 2005, kur humbi zgjedhjet, Fatos Nano bëri një gjest kalorsiak duke lënë postin e kreut të partisë.
Një shtysë e brendshme, por edhe një qëndrim qortues i jashtëm ka bërë që PS-ja të ndodhet përherë në pozitën e nxënësit që i duhet të kalojë në mënyrë të përsëritur një provim që lidhet me zbatimin e standardeve dhe rregullave të lojës. Kjo gjendje konstante ka qenë ecejakja nëpër të cilën ka shkelur në dekadën e fundit partia më e madhe e së majtës. Deri tani, kur partinë e drejton Edi Rama dhe kur që në rrëzimin e parë, pa u ulur asnjëherë në poltronin e kryeministrit, po rrezikon rënien fatale.
Një situatë krejt e ndryshme mbretëron djathtas, aty ku kryetari i partisë quhet Sali Berisha që prej janarit të vitit të largët 1991. Në këtë parti asgjë nuk ndodh, asgjë nuk krijohet apo zhduket, askush nuk flet, asnjeri nuk guxon. Një ligj i pashpallur “ndalim-qarkullimi” politik qëndron në fuqi prej kohësh që s’mbahen mend dhe i siguron kryetarit Berisha pozitën e atij që praktikisht e ka privatizuar partinë dhe që mund të bëjë me të çfarë t’i vijë në mendje. Jeta e brendshme në këtë forcë politike, që ka fituar deri sot katër mandate qeverisëse pas rënies së komunizmit, është e krahasueshme për nga pikëpamja e lirive të shprehjes dhe mendimit ndryshe, me atë të një partie të bllokut komunist lindor në vitet ’80.
Të fundit që e mësuan këtë, gjatë legjislaturës së fundit, ishin Spartak Ngjela, Besnik Mustafaj, Gilman Bakalli e disa figura të tjera politike që u nxorën në anë të rrugës nën vështrimin e ngrysur të Doktorit. Berisha merakoset sot për statusin martesor të homoseksualëve, por ai s’ka pasur më të voglin skrupull për rregullat e shkruara brenda partisë së tij. Ai ka humbur zgjedhje, është rrëzuar në referendume apo është përplasur me skandale si ai piramidave apo edhe Gërdecit, dhe ia ka dalë që të mos vihet kurrë në dyshim si kryetar i partisë, paçka se është lideri i vetëm në Ballkan që vijon të jetë në politikën aktive njëzet vjet pas rënies së sistemit në këtë pjesë të kontinentit.
PD-ja ka instaluar një kod tërësisht të sajin, origjinal dhe të papërsëritshëm përsa i takon standardeve të brendshme të komunikimit dhe vendimmarrjes, përzgjedhjes dhe zëvendësimit të elitave të saj politike, të votimit dhe të numërimit të votave brenda forumeve. Një kod, i cili, në fakt, ka vetëm një rresht: asgjë nuk ndodh pa vullnetin e kryetarit të partisë.
I rreptë dhe kërkues ndaj socialistëve, opinioni publik ka treguar një dyzim në kufijtë e së habitshmes përballë asaj që ndodh në PD qysh nga fillimi i ditëve. “E dimë si është Berisha, lëreni atë, shihni këta të tjerët”. Kjo është thënë rregullisht sa herë ka qenë fjala për të mbajtur shënim të pabërat e kryetarit të së djathtës. A thua se paudhësitë dhe arbitrariteti i njërës palë nuk dhemb njëlloj si ai i palës tjetër!
Askush nuk është skandalizuar që gjatë katër vjetëve Berisha praktikisht i vuri drynin partisë, duke mos i mbledhur kurrë forumet drejtuese. Asnjeri nuk tha diçka as kur kryetari i PD-së shkeli me të dyja këmbët procedurat statutore për zgjedhjen e kreut të PD-së së Tiranës, vetëm e vetëm për të anashkaluar kandidaturat serioze të Besnik Mustafajt e Gjergj Bojaxhiut. Pakkush ka guxuar të shtrojë publikisht faktin tashmë banal të konsumit të tejskajshëm të Sali Berishës dhe të nevojës që më në fund kjo parti të nxjerrë nga brenda vetes, pas njëzet vjetësh, një kandidaturë të denjë për të marrë në dorë skeptrin e kryetarit.
Ilir Meta përbën një prurje relativisht të re në këtë dosje hipokrizie. Megjithatë, sot, në momentin kur bëhet gati të bashkëqeverisë me Sali Berishën, ai nuk po tregon se e ka të vështirë të përballet me të shkuarën e tij të afërt, kur i ftonte shqiptarët ta votonin me qëllim që të vinte në vend nderin e nëpërkëmbur të së majtës, e cila “bën pazare me Sali Berishën”. Nëse Edi Rama po kryqëzohet me të drejtë sot sepse i mungojnë pesë mandate deputetësh, nga objektivi politik i para 28 qershorit, Meta nuk ngurron t’i shesë katër deputetët e tij “prej floriri” si një fitore të qartë politike, paçka se para zgjedhjeve deklaronte me arrogancë se “do të verifikonte pozitën e tij në krye të partisë nëse nuk do të fitonte 35 deputetë”.
Jeta jonë politike është e mbushur me arbitraritet dhe mashtrim. Jeta e brendshme e partive politike është sidomos e mbarsur me norma false dhe standarde të mbetura në letër. Përplasja e zhurmshme që po ndodh në PS në këtë moment, pavarësisht rezultatit emëror që do të nxjerrë në fund, tingëllon gjithsesi shumë më pozitive dhe e shëndetshme sesa uniteti sipërfaqësor që rrezatojnë partitë që po i japin formë të parës qeveri ku e djathta historike do të qëndrojë në të njëjtin poltron me të majtën e krijuar rishtazi. Një simbiozë që do të përcaktohet, ndër të tjera, edhe nga mënyra se si e kanë përjetuar së brendshmi jetën politike dy partnerët-surprizë Berisha-Meta.
1 Gusht 2009