E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gafat e drejtësisë që rëndojnë në Buxhetin e Shtetit



Laureta Rryçi

Tiranë - Gafat e Drejtësisë shqiptare rëndojnë automatikisht në buxhetin e shtetit. Ligji e parashikon që vendimet e padrejta duhet të shlyhen në ç’dëmtime monetare. Statistikat zyrtare të Gjykatës së Tiranës tregojnë se vetëm në gjashtë mujorin e parë të këtij viti janë regjistruar 20 padi të tilla. Bashkë me paditë, të dënuarit padrejtësisht kanë përfshirë dhe zhdëmtimin monetar që duhet t’iu bëjë shteti. Në dyert e gjykatave mbërrijnë çdo ditë kërkesa për kompensim për burgim të padrejtë. Mirëpo jo të gjitha këto kërkesa pranohen. Sipas juristëve shpesh herë kjo ndodh për shkak se të dëmtuarit nuk e njohin ligjin për të mësuar se sa dhe kur iu takon dëmshpërblim nga shteti për mbajtjen në qeli. Ky ligj ka për objekt të rregullojë rastet e përfitimit dhe të kompensimit për burgim të padrejtë, përfshirë arrestin në shtëpi dhe masën e mënyrën e llogaritjes së tij, si dhe procedurat për kërkimin, pagesën dhe kompensimin për burgim të padrejtë. Personi, që është deklaruar i pafajshëm ose për të cilin është pushuar çështja me vendim gjykate të formës së prerë apo të prokurorit, ose është mbajtur në burg tej kohës së caktuar në vendimin e dënimit, gëzon të drejtën e kompensimit për burgimin e vuajtur.
Kërkesa për kompensim
Kërkesa për kompensim bëhet nga personi, që e përfiton atë sipas këtij ligji ose, pas vdekjes së tij, nga trashëgimtarët, përveç kur e drejta ka qenë parashkruar në kohën kur i burgosuri ishte gjallë. Për personin e mitur ose të paaftë mendërisht këtë të drejtë e ushtron kujdestari ligjor. Kërkesa për kompensim paraqitet brenda tri vjetëve nga data e lindjes së të drejtës në gjykatën e rrethit gjyqësor, që ka dhënë vendimin e dënimit, ose në territorin e së cilës ndodhet organi, që është ngarkuar, sipas këtij ligji, për pagesën e kompensimit për burgim të padrejtë.
Shqyrtimi gjyqësor bëhet sipas rregullave të gjykimit të padisë civile në procesin penal. Ekzekutimi i vendimit gjyqësor për dhënien e kompensimit pezullohet kur rifillojnë hetimet e pushuara ose prishet vendimi i pafajësisë apo pushimit të çështjes dhe përfituesi rimerret në përgjegjësi penale në të njëjtën çështje, edhe për të njëjtën vepër. Kompensimet e përfituara kthehen, tërësisht ose pjesërisht, kur urdhërohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Masa e përfitimit
Kompensimi për burgim të padrejtë caktohet nga gjykata, duke mbajtur parasysh: të ardhurat nga paga për të punësuarit në sektorin publik ose në sektorin privat, deri një muaj para burgimit; fitimin e realizuar nga veprimtaritë tregtare dhe fitimprurëse gjatë tri viteve të fundit para burgimit; pensionet e përfituara para ose gjatë paraburgimit; pagën minimale në shkallë vendi për ata që kanë qenë pa punë, të paktën një muaj para datës së burgimit; rrethana të tjera, të lidhura me gjendjen ekonomike e familjare të të burgosurit; të ardhurat nga puna në burg. Kompensimi caktohet deri në 2 000 (dy mijë) lekë për një ditë burgim dhe 3 000 (tre mijë) lekë për një ditë paraburgim.
Periudha e arrestit në shtëpi kompensohet nisur nga të njëjtat kritere sikurse burgimi, por masa e kompensimit të caktuar nuk duhet të jetë më e madhe se një e dyta e shumës së caktuar për burgimin. Personi, që ka vuajtur paraburgimin ose arrestin në shtëpi dhe për këtë shkak është larguar nga puna ose nga detyra që kishte përpara vendosjes së këtyre masave, ka të drejtën e rikthimit në punë apo në detyrë, kur është vendosur pushimi i çështjes ose është dhënë pafajësi në favor të tij, sepse nuk ka kryer veprën që akuzohet, fakti nuk ekziston, fakti nuk përbën vepër penale ose fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale.

Rastet e burgimit të padrejtë
a) periudha e paraburgimit për një çështje ose akuzë, për të cilën prokuroria ka pushuar hetimet ose gjykata ka dhënë pafajësi ose ka pushuar çështjen;
b) periudha e burgimit në zbatim të një vendimi, i cili, pas vënies në ekzekutim, është prishur dhe është dhënë pafajësi ose është pushuar ­çështja me vendim të formës së prerë;
c) periudha e paraburgimit ose e burgimit më tepër nga sa është dënuar me vendim të formës së prerë;
ç) periudha e paraburgimit kur, me vendim gjykate të formës së prerë, është vërtetuar se akti ishte nxjerrë pa respektuar kushtet e parashikuara në nenet 228 e 229 të Kodit të Procedurës Penale;
d) periudha e paraburgimit tej kufijve ligjorë të afateve të lejuara për kohën e paraburgimit;
dh) periudha e burgimit të padrejtë e shkaktuar nga gabimi në urdhrin e ekzekutimit të vendimit;
e) periudha e vuajtjes së arrestit në shtëpi në rastet e përcaktuara në shkronjat “a”, “c”, “ç'' dhe “d” të këtij neni

Përjashtimi nga e drejta e kompensimit
1. Personi, që është deklaruar i pafajshëm me vendim të formës së prerë, ka të drejtën e kompensimit për paraburgimin e vuajtur, me përjashtim të rasteve kur është provuar se vendimi i gabuar ose moszbulimi në kohën e duhur i faktit të panjohur është shkaktuar tërësisht ose pjesërisht prej tij.

2. Kur me vendim gjykate është vërtetuar se fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale, për shkak të shfuqizimit të dispozitës përkatëse, e drejta e kompensimit nuk njihet për atë pjesë të paraburgimit të vuajtur para shfuqizimit.

3. E drejta e kompensimit nuk njihet për pjesën e periudhës së paraburgimit të vuajtur, që është llogaritur për efekt të caktimit të kohës së dënimit me burgim, në rastet e parashikuara në nenin 465 të Kodit të Procedurës Penale.

4. Personi i burgosur për një vepër, që ndiqet me ankim, përjashtohet nga përfitimi, kur çështja pushohet për shkak pajtimi.

Të dënuarit që kanë aplikuar për burgim të padrejtë dhe zhdëmtimi monetar që kërkojnë

Hasan Hyska Kompensim për burgim të padrejtë në shumën 2.253 000 për 751 ditë burg
Skënder Deda Kompensim për burgim të padrejtë në masën 741 000 lekë
Sokol Dervishi Kompensim për burgim të padrejtë
Elvis Lici Kompensim për burgim të padrejtë për periudhën 20.09. 2005 deri në datën 19.06.2006
Klodian Emiliano Muka Kompensim për burgim të padrejtë
Bajram Lika Kompensim për burgim të padrejtë për 144 ditë nga data 29.10.2007 deri më datën 21.03.2008 me nga 3000 lekë të reja në çdo ditë
Bukurosh Goli Kompensim për burgim të padrejtë në shumën 456 000 lekë
Ermal Pashollari Kompensim për burgim të padrejtë dhe dëmtim moral
Kadri Sula Kompensim për burgim të padrejtë
Aurel Cenolli Kompensim për burgim të padrejtë në shumën 288 000 lekë
Arjan Fortuna Kompensim për burgim të padrejtë në dhomat e paraburgimit pranë repartit 313 Tiranë, arrest në burg nga dt.09.09.2005 deri më dt 17.10.2006 dukë bërë përllogaritjet, arrest ne burg janë 405 ditë që kapin vlerën prej 12 150,00 lekë
Skënder Tufa Kompensim për burgim të padrejtë
Xhavit Hoxha Kompensim për burgim të padrejtë për periudhën nga data 01.11.2005 deri në datën 25.04.2008 në masën e 3 000 lekë në ditë gjithsej 2715000 lekë, kompensim për periudhën nga data 25.04.2008 deri më datë 24.04.2009 në masën 2 000 lekë në ditë dhe gjithsej në shumën 728 000 lekë në një shumë totale prej 3443 000 lekësh.
Hamza Thaçi Kompensim për burgim të padrejtë me masë arrest në burg e përllogaritur në ditë 127 ditë që kap vlerën prej 3 621,00 lekë
Jorgo Mano Kompensim për burgim të padrejtë në shumën 204 000 lekë
Euxhen Dollani Kompensim për burgim të padrejtë
Xhemal Haxhaj Kompensim për burgim të padrejtë të vuajtur në bazë të vendimit nr 1020 akti të datës 01.09.2006 të gjykatës së rrethit gjyqësor Tiranë dhe i vendimit nr. 241 datë 14.09.2006 të Gjykatës së Apelit Tiranë.

1 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›