Alibeaj: “Shërbimi i Provës do të ulë mbipopullimin në burgje”
Tiranë - Shërbimi i Provës do të ndikojë në uljen e mbipopullimit nëpër burgje. Kështu deklaroi dje ministri i Drejtësisë në një tryezë pune të organizuar mbi efektet që do të sjellë nisma më e fundit për të dënuarit. Sipas Alibeajt tashmë gjyqtarët dhe prokurorët kanë në dispozicion terrenin e duhur ligjor dhe strukturat e përshtatshme ekzekutive për dhënien e drejtësisë penale në orientim me dënimet alternative, si masë dënimi që funksionon suksesshëm për riedukimin dhe riintegrimin e individit. Zyrtarët bënë publike faktin se aktualisht shërbimi i Provës po mbikëqyr zbatimin e 257 urdhrave për ekzekutimin e dënimeve alternative, ka si mision edhe parandalimin e kryerjes së veprave penale, duke asistuar të dënuarin në përmbushjen e dënimit alternativ dhe kapërcimin e vështirësive të tij në riintegrimin shoqëror. “Tashmë pranohen gjerësisht avantazhet e drejtësisë restauruese dhe të dënimeve alternative si thjeshtëzuese të procedimit gjyqësor, normalizuese të marrëdhënieve shkelës i ligjit –i dëmtuar-shoqëri dhe reduktuese të kostove për mbajtjen e sistemit penitenciar”, -tha Alibeaj, duke sqaruar veprimtarinë e Shërbimit të Provës. Drejtuesi i përgjithshëm i organit të Shërbimit të Provës, Arben Sefgjini, shpjegoi se aktualisht funksionojnë katër zyra të kësaj drejtorie pranë Gjykatave të rretheve gjyqësore në Tiranë, Durrës, Shkodër dhe Fier. Sipas tij, 50 punonjësit e shërbimit të provës, nga të cilët 38 në 4 zyrat vendore kanë mbikëqyrur gjatë kësaj periudhe 257 urdhra për ekzekutimin e dënimeve alternative, të cilat në situatën përpara prezantimit të Shërbimit të Provës, do të destinoheshin për sistemin e burgjeve. Aktualisht në burgje ndodhen 5000 persona të burgosur, në 20 institucione të shpërndara në të gjithë vendin. Ngritja e Shërbimit të Provës në kuadër të zbatimit të reformës së dënimeve alternative është mbështetur nga partnerët ndërkombëtarë, EURALIUS, OSBE dhe UNICEF.
1 Gusht 2009