Asistentja virtuale Diella, Kaso: Shërbim në kohë reale përmes komandave zanore

TIRANË, 22 janar/ATSH/ Asistentja virtuale Diella u prezantua ditën e diel si një risi që pritet të përmirësojë cilësinë e marrjes së shërbimeve për të gjithë qytetarët përmes platformës e-Albania.
Enio Kaso, drejtor i Inteligjencës Artificiale pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, në një intervistë televizive zbuloi sot disa nga risitë që pritet të sjellë Diella për të gjithë qytetarët.
“Diella, ose asistenti virtual 2.0, vjen në versionin e tij të përmirësuar ku i shtohet funksionaliteti me zë dhe figurë në kohë reale, kjo për t’i dhënë lehtësi në akses qytetarëve dhe bizneseve për të marrë shërbimet që ata kërkojnë. Diella sapo është prezantuar ditën e diel. Sipas raportit të brendshëm të statistikave kemi parë që përdoruesit kanë goxha më shumë dëshirë dhe përqafojnë më mirë të komunikojnë sesa me opsionin që është akoma i aksesueshëm në portal me chat, pra me tekst”, thotë Kaso.
Sipas drejtorit të Inteligjencës Artificiale pranë AKSHI-t, asistenti virtual, krahasuar me metodat e tjera të kërkimit, përveçse është më i thjeshtë dhe i aksesueshëm, kthen përgjigje në kohë reale dhe ofron toleranca në kërkimin e shërbimit.
“Është më tolerant ndaj gabimeve drejtshkrimore, është më tolerant ndaj mënyrës sesi qytetari kërkon të marrë shërbimin, nuk ka nevojë për ta mbajtur titullin e shërbimit në mendje tërë kohën. Diella kthen përgjigje të personalizuara për çdo qytetar, edhe nëse ajo përdoret njëkohësisht nga shumë përdorues”, shton ai.
Sipas Kasos, në versionin që do të prezantohet në muajt në vazhdim, një version i përmirësuar i Diellës, do të shtohet edhe funksionaliteti ku Diella do të ketë aftësinë për të gjeneruar shërbimin në kohë reale, pra qytetari mund të thotë “dua një vërtetim pensioni” ose “dua një vërtetim page”, dokumenti do të gjenerohet nga Diella në pak sekonda dhe do të gjendet në seksionin “Dokumentet e mia” në e-Albania.
/a.f/r.e/