Asnjë kacidhe më shumë për Butrinti 2000
Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve nuk pranon të shtojë financimin për Festivalin Ndërkombëtar Teatror të Butrintit. Pas letrës së hapur që organizatorët e festivalit, të mbështetur nga një grup artistësh i dërguan ministrit Ylli Pango, kryeministrit Sali Berisha dhe kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, për rritjen e fondit të premtuar nga MTKRS, kjo e fundit kthen një përgjigje zyrtare. Në përgjigjen e firmosur nga komisioni i miratimit të projekteve thuhest se “një nga kriteret e vendosura nga Këshilli i kulturës ka qenë nxitja e e organizatorëve për të gjetur forma alternative financimi dhe “found raising” si nga sektori privat, ashtu dhe nga institucione të ndryshme”. Sipas ministrisë, ky kriter kërkon reduktimin gradual të financimit shtetëror për projekte që kanë përfituar atë më parë. “Duke qenë se ky festival ka tetë vjet që financohet nga Minsitria e Kulturës me 8-10 milionë lekë të reja në vit, organizatorët e tij duhet të fillojnë të ridimensionojnë seriozisht pretendimet e tyre karshi taksapaguesit shqiptar”, - thuhet në përgjigje. Që do të thotë se Festivali i Butrintit nuk do të marrë më shumë se 6 milionë lekë, një shumë që sipas organizatorëve është e pamjaftueshme për të realizuar një festival me përmasat e “Butrinti 2000”.