E Shtunë, 31 Tetor 2026

Batuta huq e Pangos

I shkojnë apo nuk i shkojnë ngjyrat Tiranës? Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, duket se është kundra, por ç’ti bësh kur i pëlqejnë të huajve… E aq më tepër atyre që ofrojnë paratë. Në një seminar të zhvilluar dje në ambientet e MTKRS-së mbi “Zhvillimin e qendrueshëm dhe të integruar të trashëgimisë kulturale dhe historike të Shqipërisë”, ministri Pango tha ndër të tjera se “ka njerëz që obsesionohen nga shenjat, fasadat e ndërtesave”, ndërkohë që qyteti pa kulturën e trashëguar është i mangët. Por pak më tej tha se qeveria ka akorduar 60 milionë lekë për fasadat veneciane dhe kalldrëmet e Shkodrës (?!). Si të mos mjaftonin këto thënie dhe kundërthënie të Pangos, i cili nuk u kuptua pse shfrytëzoi pikërisht këtë rast për të “shigjetuar” kundërshtarët politikë, drejtuesi i projektit Nikos Fintikakis ia zhvlerësoi tërësisht batutën. “Kur vij në Tiranë ndihem ngrohtë. Më pëlqejnë në veçanti ngjyrat”, - tha Fintikakis, i cili momentalisht po mbledh të dhëna mbi 12 qytete të Shqipërisë, prej nga do të zgjidhen 4 që do të përfitojnë financime. Dhe jo pak, por 3 milionë euro. Pas kësaj situate që shkaktoi të qeshura në sallë, ministri Pango, ose duhet të fillojë t’i shohë fasadat e Tiranës me një sy tjetër, ose duhet të mësojë të heshtë e të mos hedhë batuta përpara përfaqësueve të huaj e mediave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›