Asnjë koalicion s’vendos për Kosovën

Në një intervistë për “Zëri”, Fatmir Limaj thotë se për fatin e Kosovës nuk mund të vendosë as PDK-ja e as AAK-ja. Sipas tij, padron i këtij vendi është populli i Kosovës. “Dhe nëse mendoni se ju që keni qenë UÇK edhe mund të bëni çfarë të doni me Kosovën, gaboni rëndë. Kosova është pak më e madhe, pak më ndryshe”, thotë Limaj.
Sipas tij, për ndryshimin e koalicionit deri më tani asnjëherë nuk është diskutuar në Kryesinë e partisë. Ai mendon se para kësaj, PDK-ja duhet t’i bëjë llogaritë së pari me partnerin e tashëm të koalicionit, AKR-në.
Deputeti Limaj thotë se Prishtina zyrtare duhet t’i krijojë parakushtet e nevojshme për një dialog me rezultate dhe në të mirë të qytetarëve të Kosovës.
Ai thotë se me Nikoliqin e Daçiqin mund të bisedohet vetëm atëherë kur ata kërkojnë falje për krimet e bëra dhe i shuajnë të gjitha institucionet serbe nga territori i Kosovës.
Limaj thotë se për veriun nuk do të jepet asgjë më shumë se Pakoja e Ahtisarit, sepse siç shprehet ai, “ky është kompromisi më i dhimbshëm që ka bërë Kosova”.