Kosova nuk i do Thaçin e Ramushin bashkë

Ky dyshim i qytetarëve, së fundi, është shprehur në një anketë të KosovaPress-it ku 60% e respondentëve, me votën e tyre, janë shprehur se koalicioni PDK-AAK nuk është në të mirë të vendit.
Në anketën e KosovaPress-it: “A është në të mirë të Kosovës koalicioni PDK-AAK?”, 60 për qind e respodentëve janë përgjigjur me JO, 35 për qind me PO, ndërsa vetëm 4 për qind janë shprehur NUK e DI!
Edhe jashtë anketës, disa qytetarë janë shprehur se këto dy parti të vetme nuk mund të bëjnë asgjë, andaj, sipas tyre, duhet të bërë koalicion edhe më të gjerë.
“Na jemi popull i tillë të cilët shpejtë zhgënjehemi. Për një herë nxehemi, përnjëherë ftohemi. Këta kanë punuar jashtëzakonisht dhe ma merrë mendja se mund të punojnë, por më e mira kish me qenë për çështjen tonë kombëtare, bashkimi i disa partive politike”, ka thënë Qani Haliti.
Ndërsa, qytetari tjetër, Sylejman Ahmetaj ka besim edhe në këtë koalicion, por prapëseprapë mendon se duhet uniteti i të gjitha partive.
“Esenca është se ata munden me na nxjerr prej krizës, përndryshe koalicioni është i dobishëm jo vetëm me dy parti por edhe me parti të tjera. Të marrim shembull popujt tjerë. Shembull Sllovenia kur është në pyetje shteti krejt bashkohen. Edhe te na nëse është në pyetje interesi i shtetit tonë të gjitha partitë duhet të jenë unike me mbrojt interesin e popullit”, ka thënë Ahmetaj.
Por ka edhe nga ata që dyshojnë në këtë koalicion përball politikës serbe.
“Ata sa do të jenë në gjendje, sa janë të aftë me ju kundërvu Serbisë e cila ka shumë përparësi diplomatike. Ata kanë diplomat më të mirë se na. Sa munden me ju kundërvu veç këto dy parti është pak pikëpyetje. Kisha thanë që edhe pozita edhe opozita mu ba bashkë, me u koordinu, me mbledh njerëzit dhe me ju kundërvu Serbisë. Kështu do ishte më suksesshëm”, ka thënë Izet Zhuri.
Por, drejtori i Institutit RIDEA, Labinot Greiçevci pohon se koaliconi mes PDK-së dhe AAK-së do mund të funksiononte ngase deri më tani kanë funksionuar koalicione me përbërje shumë të ndryshme.
Por, Greiçevci hedh dyshime nëse ky koalicion do të ishte efektiv dhe rezultativ për të mirë të qytetarëve.
Ai edhe pse mendon se do të mund të funksiononte, ky koalicion vështirë të bëhet ngase, sipas tij, nuk është edhe aq në përputhje në tërësi me interesat e dy partive.
“Nëse një koalicion i tillë ndodh, të themi hipotetikisht se mund të ndodh atëherë mbetët pikëpyetje e madhe se sa do të jetë efektiv dhe rezultativ për të mirën e qytetarëve dhe për interesin publik të këtij vendi në rrethanat aktuale koalicioni PDK-AAK. Megjithatë po them se mbetet të shihet nëse një koalicion i tillë do të mund të ndodh në një të ardhme të afërt meqë më duket se kjo gjë nuk është edhe aq në përputhje në tërësi me interesat e dy partive apo fraksioneve të caktuara brenda këtyre partive”, ka thënë ai.
Madje, Greiçevci shprehet se janë dy motive apo faktor që mund të kenë ndikuar në dyshimin e qytetarëve që një koalicion i tillë do të jetë në të mirë të vendit.
Për Greiçevcin sjelljet e disa persona në periudhën e pasluftës dhe gjykimi i tyre se një koalicion i tillë do të mund të bënte lëshime apo koncesione që kryesisht lidhen me veriun, i bënë të mendojnë se nuk do të jetë në të mirë të vendit ky koalicion.
“Motivi i parë do të thoja lidhet me të kaluarën, respektivisht me periudhën e menjëherë të pasluftës në Kosovë, kur njerëzit që janë identifikuar me simbolet e UÇK-së edhe pse mund të mos kenë qenë fare pjesëtarë të saj, me sjelljet dhe veprimet e tyre kanë krijuar një ndjenjë të frikës tek një pjesë e caktuar e popullsisë në Kosovë, dhe kjo shtresë e popullsisë i ka identifikuar këta njerëz krejtësisht me dy parti që tek ne njihen si krahu i luftës pra AAK dhe PDK. Kjo do të thotë se njerëzit mund ta perceptojnë si një far lloj situate e së kaluarës do të mund të rikthehej me një koalicion mes PDK-së dhe AAK-së. Dhe motivi i dytë që do të mund ta shpjegonte këtë dyshim tek qytetarët do të thoja se lidhet me të sotmen dhe të ardhmen e vendit tonë. Duket se një pjesë e caktuar e shoqërisë e përcakton koalicioni PDK-AAK si koalicion të të fortëve dhe nga ky perceptim rrjedh edhe gjykimi i tyre se një koalicion i tillë do të mund të bënte lëshime apo koncesione që kryesisht lidhen me veriun e Kosovës por që njëkohësisht kanë të bëjnë me të tashmen dhe të ardhmen e vendit tonë në përgjithësi”, ka thënë ai.
Ndryshe, ka disa jave që përflitet për një koalicion të mundshëm midis PDK-së dhe AAK-së, i cili, sipas paralajmërimeve, jozyrtare, pretet të ndodh gjatë muajit shtator. /kosovapress/