Asnjë nënvlerësim Mamurrasit, e kemi një shembull nga Gramozi
Trajneri i kavajasve pret sot fitoren e parë në transfertë nga ekipi i tij, që duhet të konsolidojë pozicionin
Trajneri i Besës, peqinasi Gugash Magani, ka marrë përsipër një detyrë të vështirë këtë sezon. Ai vjen nga një skuadër luksi si Flamurtari, ndërkohë që sfida e radhës mbase nuk është në nivelin e tij, jo në aspektin e skuadrës, pasi Besa është ekip me tradita në futbollin shqiptar, por në aspektin kategorisë së parë. Gjatë kampionateve të fundit në radhët e Flamurtarit, trajneri me karakter të fortë ka ngritur gjithnjë vlonjatët në nivele të pëlqyeshme.
Ndërsa tani organika e Besës është disi e cunguar, mbase skuadra nuk është e kolauduar 100%. Por Gashi me stafin e tij po tentojnë të fusin në shina verdhezinjtë. Shumë shpejt kavajasit duhet të rikthehen në superligë. Por për të arritur diçka e tillë duhen korrur fitore. Ndeshja e radhës në Mamurras duket e lehtë në plan të parë, sepse vendësit paraqesin problemin në menaxhim, por Magani u kujton të tijve sfidën ndaj Gramozit, të cilën ende nuk arrin ta besojë që e ka humbur.
Sipas teknikut peqinas, skuadra e tij duhet të jetë e përqendruar, të japë maksimumin duke e respektuar kundërshtarin deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit kryesor.
Ecuria
Kemi arritur dy fitore në ndeshjet e fundit, një në kampionat dhe një në Kupën e Shqipërisë. Tashmë duhet të shohim vetëm përpara, pasi me anë të sukseseve arrihen edhe objektivat. Kemi pasur një fillim të vështirë, por tani po rekuperojmë hap pas hapi. Në grup kemi problemin e Dhëmbit të dëmtuar. Por ajo që më shqetëson më shumë është forma e disa futbollistëve të ardhur në momentet e fundit në radhët tona dhe si pasojë ende skanë kapur ritmet e duhura.
Por besoj se me një punë voluminoze edhe ata do të arrijnë të jenë në sinkronizim me skuadrën. Të them të drejtën, ende ekipi nuk është në ato nivele që unë kërkoj, por me anë të një pune voluminoze dhe ta pandalshme nga ana jonë kam bindjen se gjërat do të shkojnë në rrugën e duhur.
Mamurrasi
Është një transfertë e vështirë për ne. Personalisht e vlerësoj kundërshtarin. Një sezon më parë ata ju afruan superligës duke luajtur një play-out përballë Shkumbinit. Nuk kemi pse të analizojmë problemet e tyre. Unë kam komunikuar edhe me lojtarët e mi, u kam thënë atyre që futbolli ndonjëherë të jep goditje dhe të dërgon në KO duke mos u ngritur më. Ne duhet të jemi vigjilentë, ndryshe mund ta pësojmë kot, si me Gramozin. Në këtë ndeshje ende smë besohet që kemi humbur.
E kemi dominuar totalisht, por ja që futbolli të ndëshkon kur shpërdoron përpara porte. Ne e kemi një shembull të mirë që duhet të bëjmë më të mirën tonë në të gjitha rastet që na jepen përpara portës dhe për më tepër smund të marrim me mendjemadhësi asnjë sfidë. Nëse veprojmë kështu, sigurisht që do të ndëshkohemi.
