E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovës i shtohet Federata e Pentatlonit Modern, pritet ndërkombëtarizimi

Nga Express më 01 tetor 2011 në ora 11:22

Kosova është bërë edhe me një federatë të re sportive. Të premten Ministria e Sportit e ka licencuar Federatën e Pentatlonit Modern (FPM). Kryetarit të kësaj federate, Xhevat Berishës, licencën ia dorëzoi ministri i Sportit, Memli Krasniqi. Ky i fundit i ka premtuar mbështetje institucionale kësaj federate, duke mbet me shpresë që ky sport të masivizohet në vendin tonë.

“Është federatë e cila për herë të parë organizohet dhe licencohet në Republikën e Kosovës, por sportet të cilat e përbëjnë këtë kompleks nuk janë sporte të reja për Kosovën. Shumica prej tyre kanë një traditë, ekzistojnë edhe federatat përkatëse, por besojmë se FPM do të përmbledhë të gjithë entuziastët e këtyre pesë sporteve”, ka thënë Krasniqi.

Në anën tjetër, kryetari i këtij sporti olimpik, Xhevat Berisha, shpreson që shpejt FPM-ja të anëtarësohet në federatën përkatëse ndërkombëtare. “Besoj që këtë angazhim do ta finalizojmë më datën 11 nëntor, kur do të mbahet edhe takimi i Federatës Ndërkombëtare të Pentatlonit Modern”, është shprehur ai.

Me formimin e kësaj federate, respektivisht me inkuadrimin e saj në federatën përkatëse ndërkombëtare, besohet se do të përshpejtohet edhe procesi i anëtarësimit të Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Paraprakisht duhet që pesë sporte olimpike të Kosovës të jenë të ndërkombëtarizuara. Aktualisht vetëm tri federata kosovare janë të ndërkombëtarizuara me të drejta të plota.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›