Galica: Elbasani nuk fal askënd në Ruzhdi Bizhuta
Sulmuesi shkodran i verdhebluve, Elhan Galica, mendon se ka ardhur moment i fitores së dytë në kampionat
Elbasani synon sot të marrë fitoren e dytë në kampionat. Verdheblutë u kanë dhënë dje dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen e sotme me Gramozin, që e vlerësojnë si ekip, por në stadiumin “Ruzhdi Bizhuta” nuk mendojnë rezultat tjetër veç fitores. Kjo ndeshje është vlerësuar maksimalisht edhe për faktin se Elbasani vjen pas një humbjeje të thellë në transfertë dhe se do të ketë disa mungesa të rëndësishme në formacion.
Në njëfarë mënyre, elabasanasit janë të dënuar të marrin 3 pikët para tifozëve të tyre. Trajneri Ilirian File duhet ti bëjë llogaritë pa 3 titullarë të rëndësishëm, siç janë mesfushorët Gava dhe Toçi, si dhe mbrojtësi Kaçuli, i dënuar 5 javë nga komisioni i disiplinës në FSHF. Gjithashtu, ndeshja mbart vështirësi, pasi edhe miqtë nga Erseka vijnë nga një humbje dhe në Elbasan do të pretendojnë marrjen e një pike.
Galica premton gol Sulmuesi shkodran i Elbasanit, Elhan Galica, pranon se do të jetë një ndeshje e vështirë, por, duke ditur rëndësinë e saj, ai beson se në fund do të triumfojë ekipi verdheblu: “Gramozi është një ekip i fortë dhe e kemi vlerësuar maksimalisht, por në fushën tonë nuk falim askënd. Mendoj se do të fitojmë, sepse nuk kemi rrugë tjetër.
Në këtë moment kemi shumë nevojë për një fitore, jo vetëm për pikët, por edhe për moralin, – thekson Galica, i cili thotë gjithashtu se Elbasani nuk i ka më problemet e fillimit të kampionatit dhe se në stadiumin e tij shprehet më mirë: Personalisht, jam ambientuar shpejt me lojën e ekipit, por them se janë kaluar problemet e fillimit. Jam zhbllokuar në ndeshjen me Gramshin dhe më duhet të falënderoj shokët e ekipit, që më kanë ndihmuar shumë.
Shpresoj dhe besoj se do të shënoj me Gramozin, sepse dua ta ndihmoj Elbasanin të ecë përpara. E ndiej veten në formë mjaft të mirë fizike, ndaj dhe besoj se do ta gjej përsëri rrugën e rrjetës, – ka thënë në fund shkodrani i sulmit verdheblu, Galica. Pritet që ai të ketë përkrah ndaj Gramozit afrikanin Olatunji.
2 gola
shënoi sulmuesi shkodran në fitoren 3-1 me Mamurrasin në kupë, duke vërtetuar se është në formë të mirë
4 përvoja
ka Galica në kampionatin e kategorisë së parë, ku ka veshur fanellat e Pogradecit, Lushnjës, Tomorit dhe tashmë të Elbasanit
