Ada mesazh Gramshit: Ne ju presim ndryshe nga ju!
Presidenti Alfred Pjetri thekson se nuk do të ketë hakmarrje, ndërkohë që beson për fitoren e radhës
Velipojakët ruajnë kujtime të hidhura nga ndeshja në Gramsh e sezonit të kaluar, kur ata nuk janë pritur aspak mirë. Edhe sot futbollistët dhe drejtuesit e Adës nuk e kuptojnë pse gramshiotët duhej të silleshin në atë mënyrë. Tashmë është radha për të marrë hak, meqë ndeshja luhet në Velipojë, por në fakt nuk do të ndodhë kështu.
Presidenti i Adës, Alfred Pjetri, në një komunikim me Sportin shqiptar ka bërë të ditur dje se pritja që do ti rezervojnë ekipit mik do të jetë krejt ndryshe nga ajo që gramshiotët kishin për ta sezonin e kaluar. Ada do të tregojë kulturën e saj dhe të velipojakëve, që i mirëpresin miqtë, ashtu siç presin me qindra e mijëra turistë çdo vit.
Me këtë duam tu tregojmë drejtuesve të Gramshit, futbollistëve dhe stafit të tij, se Ada nuk pret ashtu si na pritën ata vitin që shkoi. Nuk do të ketë asnjë shenjë dhune si në Gramsh, nuk do të ketë luftë të ashpër sportive dhe asnjë problem me gjyqtarët. Me këtë duam tu tregojmë gramshiotëve se futbolli nuk luhet vetëm në qytetin e tyre, por edhe jashtë.
Dhe për ti ndryshuar gjërat, duhet së pari të ndryshojnë sjelljen në qytetin e tyre, kur të tjerët shkojnë mysafirë. E pësoi edhe Gramozi javën e kaluar, i cili është ankuar shumë për dhunë. Kjo nuk është e denjë, prandaj Gramshi do ta shikojë sot në Velipojë se si pritet një ekip kundërshtar, – ka thënë presidenti i Adës.
Ndeshja Duke u fokusuar më pas te ndeshja që do të luhet në fushën sportive Adriatik, ai ka shprehur besimin për një tjetër fitore: Po kalojmë një moment shumë të mirë. Fitoret në ndeshjet jashtë na kanë rritur shumë moralisht dhe kam besim te futbollistët dhe trajneri Nikaj se do të marrin një tjetër 3-pikësh ndaj Gramshit.
Ndodhemi në një pozicion komod në renditje dhe do të luftojmë ta mbajmë sa më gjatë, pavarësisht se është herët për të bërë plane,- ka thënë presidenti Pjetri. Me ardhjen e portierit Bishani, velipojakët janë përforcuar ndjeshëm, madje duken të blinduar në çdo repart, fakt që i shton ambiciet e drejtuesve të tyre për të synuar pse jo edhe superligën.
