Asnjë parti politike nuk ka aplikuar për certifikim

Ende asnjë parti politike nuk ka aplikuar për certifikim në Zyrën për Regjistrimin e partive politike në KQZ. Janë vetëm disa iniciativa qytetare dhe kandidatë të pavarur që kanë aplikuar deri më tani. Nesër më 4 shtator, në orën 24.00 përfundon afati për dorëzimin e aplikacioneve nga ana e subjekteve politike që duan të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.
Tetëmbëdhjetë aplikacione janë dorëzuar në Zyrën për regjistrimin e partive politike për certifikimin. Janë kryesisht iniciativa qytetare dhe kandidatë të pavarur. Por, jo edhe parti politike. Udhëheqësja e zyrës për regjistrimin e partive politike në KQZ, Miradije Mavriqi tha për Radio Kosovën se subjektet politike kanë afat që të aplikojnë deri të mërkurën, mw 4 shtator, në mesnatë.
“Shënimet janë që kanë aplikuar 18 subjekte, domethënë kandidatë të pavarur dhe iniciativa qytetare. Ende asnjë parti nuk ka aplikuar, është afati edhe nesër, gjegjësisht 4 shtator deri në orën 24”, tha Mavriqi.
Në mesin e 18 aplikacioneve, sipas Mavriqit, ka edhe nga komuniteti serb, kryesisht nga komunat Kllokot, Graçanicë e Novo Bërd, por jo edhe nga pjesa veriore e Kosovës.
Ndërkohë, ende në shumë komuna, subjektet politike nuk kanë vendosur për kandidatët me të cilët do ta garojnë. Por, kjo nuk i pengon ato që të aplikojnë për certifikim. Mavriqi thotë se dokumentacioni mund të plotësohet ditëve në vijim.
“Nëse dokumentacioni nuk është i plotësuar, zyra ka afat për kontrollimin e atij dokumentacioni dhe plotësimin e tij. Kështu që ka afat ligjor për plotësim të atij aplikacioni me kandidatë tjerë të mundshëm, apo me ndryshimin e atyre kandidatëve”, tha Mavriqi.
Vonesën e subjekteve politike, Albert Krasniqi nga instituti KIPRED, e konsideron si praktikë të keqe.
“Është një praktikë e keqe që është instaluar në mendësinë tonë në përgjithësi që punët t’i kryejmë në momentet e fundit, por një prej arsyeve që mund ta përmend që partitë politike nuk ibëjnë publikë emrat e kandidatëve, është mungesa e emrave që ata kanë”, tha Krasniqi.
Ndryshe, zyrtarët e KQZ-së thonë se afati për aplikimin e subjekteve politike për certifikim nuk mund të shtyhet. Hedhja e shortit për renditjen në fletëvotime të subjekteve politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit do të bëhet më 19 shtator. /Indeksonline/