E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jahjaga vlerëson kontributin e Kadaresë për Kosovën

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot shkrimtarin e shquar shqiptar, zotëri Ismail Kadare, dhe bashkëshorten e tij, Helena Kadare.

Në një bisedë shumë të përziemërt, presidentja Jahjaga dhe shkrimtari Ismail Kadare diskutuan për çështje të ndryshme politike, shoqërore e kulturore dhe për proceset demokratike nëpër të cilat po kalon Kosova sot.

Duke e përgëzuar për marrjen e Çmimit ndërkombëtar “Ali Podrimja”, presidentja Jahjaga theksoi se është një nder i madh për gjithë Kosovën vizita e shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare, vepra e të cilit vazhdon të jetë frymëzim për të gjitha gjeneratat.

Ajo tha se kontributi i zotëri Kadare për Kosovën, në shtypin dhe diplomacinë botërore, është i jashtëzakonshëm dhe me ndikim të madh.

Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova sot është një shtet i pavarur e demokratik, që synon anëtarësimin në BE, NATO dhe në OKB.

Shkrimtari Ismail Kadare e përgëzoi presidenten Jahjaga për punën dhe angazhimin e saj, me theks të veçantë në kontributin që ajo ka dhënë në ngritjen e imazhit të Kosovës në botë. Shkrimtari Ismail Kadare foli edhe për perspektivën evropiane të Kosovës, të Shqipërisë dhe të gjithë Ballkanit, duke theksuar se kjo është zgjidhja e natyrshme për secilin vend të rajonit. /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›