Spanjë, zhvillohen sot zgjedhjet e përgjithshme

Pothuajse 30 milion spanjollë me të drejtë vote i drejtohen sot kutive të votimit, për të zgjedhur një alternativë të re, në një prej vendeve europiane më të goditur nga kriza e borxheve dhe rënia ekonomike.
Sipas të gjitha sondazheve, socialistët e Kryeministrit Zapatero nuk kanë asnjë shans për t’u rizgjedhur përsëri. Pritet që fitues të jetë një koalicion i qendrës së djathtë, i udhëhequr nga Partia Popullore e Mariano Rajoj Brey.
Zapatero, i cili vendosi të mos rikandidonte për Kryeministër, i bëri thirrje votuesve që të jenë të shumtë, për të zgjedhur alternavitën që i përshtatet më mirë për të dalë nga kriza.
Me pesë milion të papunës, sa 21% e krahut të punës, Spanja mban rekordin e papunësisë brenda Bashkimit Europian. E përballur me mungesën e besimit të kreditorëve, norma e interesit për huamarrje shënoi gjithashtu rekord gjatë javës, kur iu afrua nivelit të rrezikshëm të 7%.
56-vjeçari Rajoj, nga ana e tij ka premtuar një program ambicioz punësimi, ndërsa thekson se mënyra për të dalë nga borxhet nuk janë shkurtimet e mëdha, por nxitja e rritjes ekonomike.
Sipas sondazheve parazgjedhore, Partia Popullore do të fitojë më shumë se 45% të votave, duke krijuar një avantazh prej më shumë se 15% nga socialistët në pushtet.