Assad shpall amnisti të pjesshme

Lajmi njoftohet nga televizioni shtetëror sirian, por pa përcaktuar nëse nga kjo amnisti do të përfitojnë edhe qindra të arrestuar politikë dhe aktivistë të opozitës.
Bëhet fjalë për amnistinë e tretë të pjesshme të Assadit që nga nisja e luftës civile në vend. Por opozita akuzon se lëvizjet janë në favor të pushtetit dhe se nga amnistia po përfitojnë të dënuar për krime monstruoze, që më pas bëhen pjesë e makinerisë shtypëse të civilëve.
Në raportet ndërkombëtare thuhet se burgjet siriane janë të mbipopulluara që nga nisja e protestave popullore kundër presidentit Assad. Amnistitë e miratuara herë pas here, përveçse kanë lehtësuar koston e regjimit, janë shfrytëzuar edhe për rekrutimin e elementëve kriminalë.
Në anën tjetër se një predhë nga Siria e ka goditur një qendër shëndetësore në Turqi. Ende nuk ka njoftime për të lënduar. Mediat turke thonë se predha ka rënë në distriktin Reyhanli, në provincën turke Hatay. Zyra e guvernatorit të distriktit Reyhanli tha se deri më tani nuk ka asnjë informacion lidhur me këtë incident.