E Diel, 1 Nëntor 2026

Assad tenton të largojë gruan e fëmijët nga Siria, luftimet ashpërsohen

Share

Forcat e sigurisë në Siri kanë tentuar të largojnë familjen e presidentit Bashar Assad nga vendi, por kanë dështuar. Forcat rebele pretendojnë se Asma Assad, gruaja e presidentit, e lindur dhe e diplomuar në Londër, po tentonte të shkonte drejt aeroportit për tu larguar nga vendi me fëmijët. Së bashku në karvanin e makinave ishin edhe nëna e presidentit, një kushëri dhe një bankier.

Karvani është pikasur nga brigadat e dezertorëve, të cilët e kanë sulmuar atë, duke bërë që të rikthehen sërish në pallatin presidencial.

Po ashtu rebelët kanë hedhur në erë një gazsjellës që furnizonte qytetin Homs.

Vetëm ditën e djeshme numërohen 61 të vdekur nga përplasja mes ushtrisë dhe forcave rebele.

Më shumë se 2 mijë forca të ushtrisë, 50 tanke dhe mjete të tjera të blinduara kanë sulmuar rrethinat e Damaskut, ku ndodhen disa njësite rebele. Sulmi ishte aq i ashpër sa janë parë banorë duke u larguar këmbëzbathur nga shtëpitë e tyre.

Kjo ofensivë tregon se regjimi i Assad druhet sepse dezertorët i janë afruar shumë kryeqytetit. Damasku ka qenë i qetë përgjithësisht, kurse qytete të tjera janë zhytur në kaos.

Një disident sirian që jeton në SHBA tha se tani po bie edhe iluzioni i krijuar se kryeqyteti nuk mund të merret.

OKB po tenton, por pa ndonjë rezultat, që të kalojë një rezolutë për Sirinë. Kundërshtimi i Rusisë dhe Kinës ka bërë që të dështojë një tentativë, ndërkohë që të mërkurën mund të hidhet në votim sërish një tjetër rezolutë.

Mendohet se mbi 5 mijë persona janë vrarë që kur kanë nisur trazirat në Siri dhjetë muaj më parë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›