E Diel, 1 Nëntor 2026

PS siguron aleatët: Do luftojmë për korrektimin e sistemit zgjedhor

Share

Kryetari i PS-së mbledh partitë aleate, diskutohet për reformën zgjedhore. Të vegjlit vënë kusht ndryshimin e sistemit

Partia Socialiste vazhdon të sigurojë aleatët e saj elektoralë se do të punojë në komisionin e reformës zgjedhore për të arritur ndryshimin e sistemit zgjedhor aktual, nga i cili këto parti pretendojnë se janë penalizuar keq në zgjedhjet e fundit parlamentare. Në tryezën e mbledhur me këtë qëllim, PS ka garantuar edhe një herë tjetër aleatët se ashtu si ata, edhe ajo është për një korrektim të sistemit aktual duke e kaluar atë nga proporcional rajonal në proporcional kombëtar, që siç mendojnë partitë aleate, do tu jepte atyre më shumë mundësi për të forcuar pozicionin e tyre elektoral në zgjedhjet e reja. PS njoftoi pas takimit se në diskutimet e zhvilluara në tryezë kryetari Edi Rama dhe Sekretari për Çështjet Zgjedhore Damian Gjiknuri kanë ripërsëritur dakordësinë e Partisë Socialiste me partitë aleate për nevojën e korrektimit kombëtar të sistemit dhe për domosdoshmërinë e ndërtimit të një konsensusi të gjerë në lidhje me këtë çështje.

Ndërkohë pas tryezës ishte koordinatori i opozitës Preç Zogaj që foli për mediat duke thënë se nuk bëhet fjalë vetëm për këtë pikë, pasi reforma zgjedhore është gjithëpërfshirëse dhe se opozita smund të harxhojë energji duke luajtur vetëm me këtë kërkesë. Korrektimi proporcional është një kërkesë, por nuk mund të themi se e gjithë reforma përmblidhet në këtë pikë. Janë disa pika që ne i kemi bërë të njohura përgjatë komunikimeve që kemi pasur me shtypin. Dhe nuk mund të them se mosgjetja e gjuhës për këtë pikë çon në dështim reformën zgjedhore. Natyrisht që le një pikëpyetje të madhe,- theksoi Zogaj. Ai shtoi se kjo nuk mund të kthehet në një kusht për komisionin e reformës zgjedhore, por shtoi se opozita kërkon që reforma të garantojë në radhë të parë një proces të ri zgjedhor të besueshëm dhe transparent.

Të vegjlit kërcënojnë

Partitë e vogla të majta duket se kanë varur të gjitha shpresat tek çështja e sistemit duke e kthyer atë në një kusht për aleancën me PS-në. Kryetari i partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, këmbënguli tek çështja e sistemit. A i tha se pa korrektimin kombëtar mund të ketë një bllokim të reformës. Prej kohësh është evidentuar që ka një shkelje të së drejtës kushtetuese që ka të bëjë me barazinë e votës, atëherë nevojitet një vullnet politik me qëllim që ky gabim që është bërë në të kaluarën, të korrigjohet sa më shpejt dhe të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Përndryshe ka rrezik dhe këtë mos e merrni si kërcënim, që procesi i reformës zgjedhore të bllokohet,- paralajmëroi Milo. Më tej ai sqaroi lëvizjet që të vegjlit mund të marrin në raport me aleancën me PS-në. Ai tha se  nuk do të largohet nga aleanca me të majtët, por shton se partitë e vogla të majta do të kenë një riskedulim për të mos humbur votat në elektorat. “Ka pasur keqkuptime se nëse nuk do të ndryshojë sistemi ne do të largohemi nga aleanca me partinë Socialiste. Këtu nuk është fjalë e veprimit tonë politik si forca që i takojmë spektrit të majtë dhe kampit opozitarë. Ne sigurisht që në rastin që nuk do të ndryshojë sistemi do të përpiqemi të gjejmë format dhe mënyrat më të përshtatshme, më të mira, që do të na interesojnë neve me qëllim që të dalim të suksesshëm në sfidën e ardhshme elektorale. Ne i kemi dhënë shenjat tashmë që jemi duke menduar forma organizimi të partive të ndryshme politike të spektrit të majtë me qëllim qe ne të maksimizojmë rezultatin tonë dhe në rastin nëse nuk do të ndryshojë ose nuk do të korrektohet sistemi aktual proporcional rajonal”, tha Milo.

Këto parti kanë mirëpritur ndërkohë konsensusin e fundit në komisionin e Reformës Zgjedhore për financimin e partive politike gjatë fushatës.  Me ndryshimet e reja në kodin zgjedhor çdo parti do të përfitojë të ardhura nga buxheti i shtetit. Milo thotë se deri tani nga buxheti i shtetit janë financuar vetëm pesë parti politike, dhe jo një numër kaq i madh partish. “Askush nuk financohet nga buxheti i shtetit përveç partive parlamentare. Sot, për fat të keq, nga buxheti i shtetit financohen vetëm 5 parti politike. Opinioni publik shqiptarë është i paditur dhe mendon sikur këto parti politike po i pinë gjakun. Janë disa grupe parazitare njerëzish të cilët nuk kanë se ç’të bëjnë tjetër veçse hanë paratë e shqiptarëve. Duhet ta kenë të qartë një herë e mirë se këto parti politike duke përfshirë dhe partinë Demokracia Sociale, që është tashmë një parti që ka një peshë politike dhe elektorale, nuk marrin as gjysëm leku nga buxheti i shtetit”, tha Milo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›