Nga varri i Xhevat Hanës- letër Ina Ramës
facebook.com/bledi.mane
1./
Përshëndetje e nderuar eprore!
Po të shkruaj prej nëntokës së vlagët të dimrit. Kam rreth 3 javë që dergjem këtu mes një errësire mbytëse dhe ajrit që sa vjen dhe më than brazdat e mushkërive të mia. Ende nuk më besohet që tashmë i përkas një tjetër bote dhe pagjumësia e gjatë duket sikur do të më kaplojë nga çasti në çast për tu mos u zgjuar më.
Më zbritën poshtë tokës së ngrirë ditën e shtatë të këtij janari të ftohtë. Kapaku i rëndë i arkivolit më pati puthitur edhe qepallat rëndë pas syve por unë ende dëgjoja rënkimet dhe qarjet e të dashurve të mi. Zhurma e dheut që hidhnin mbi mua më buçiti jehonshëm e më drodhi gjithë trupin. Ky kontakt i fundit me ju të gjallët ishte tmerrues. U bëra pishman pse po ikja kaq shpejt nga kjo jetë dhe pse ia lashë veten në dorë vetëm fatit të momenteve të fundit. Ndjeva se jeta paska vlerë dhe kur je ende i ri kërkon të bësh maksimumin… por tani është vonë.
Ju ikët nga varreza, ndërsa unë ndjeja hapat tuaj të rëndë tek largoheshin. Doja tu kapja prej këmbësh të qëndronit, mos iknit, të mos më linit vetëm por nuk kisha as fuqi, as zë tu thërrisja.
Ndenja ashtu si i balsamosur pa lëvizur në atë arkivol që vinte era lis i freskët derisa mëngjesin tjetër të dëgjoja zhurmat e para. I frikësuar dyfish prej errësirës dhe ankthit ndjeva se dikush hapi vërtik kapakun e arkivolit. Aromë trëndeline e ndenjur më shpoi mukozat e hundës dhe poshtë qepallave të syve të mi shfaqej mjegullt hija e dikujt. U mpiva, nuk flisja, qëndroja i ngjethur si ngrica. Dora e ftohtë e një njeriu po prekte fytyrën dhe ballin tim poshtë nën dhe.
-Qenke i ri, psherëtiste zëri i mekur i robit që qëndronte sipër arkivolit dhe fytyrës time.
-Pse erdhe këtu kaq shpejt, pyeste ai zë ndërsa unë nuk mundesha të duroja dot më. Hapa sytë rrëmbimthi dhe shtanga. Fytyra e zbehtë me mustaqe e një mesoburri më qeshi dhimbshëm.
-Mirësevjen në vendin e gabuar!- kështu më uroi dhe uli kokën mes pëllëmbëve të duarve e qante me dënesë.
-Kush je, kush je, kush je ti?- e pyeta dhe u ngrita vërtik nga arkivoli.
Lulet e freskëta që më kishit hedhur mbi trup një ditë më parë u shpërndanë mes atij kuadrati të errët ku ndodhesha unë dhe njeriu i mistershëm, i cili reagoi furishëm.
-Lule, lule, aromë jete. Lule të gjalla nga njerëzit e gjallë aty lart që na shkelin çdo ditë me këmbë neve këtu poshtë. Lule…
-Kush je?-i bërtita sërish. Ky njeri po më trembte jashtë mase, dukej sikur po priste enkas për mua….
- Kush je???
***
Ai filloi të fliste dhe pashë nga afër se zgavrat e syrit i kishte të zjarrta.
-Mos u tremb o njeri i gjallë i vdekur. Unë kam qenë si ty plot gjak ndër vena, plot jetë në inde, plot oksigjen në mushkëritë e mia, plot me miq, familjarë,plot jetë.
Edhe unë qeshja e qaja si ty, druhesha e kisha frikë porsi ty tani por vdekja e pa të udhës të mos më linte më gjatë atje sipër. Edhe unë ashtu si ty tani i druhem mynxyrës për të kuptuar më mirë sa vlerë ka drita, dielli, ajri.
-Ik largohu, largohu-i bërtita. Më lër të iki, dua të iki, kam ftohtë këtu,jam vetëm, dua të iki!
-Ti tani je si mua, i vdekur i pakallur.
-Kush je ti që më ndjell mua vdekjen, jam i gjallë, do iki!-ngulmoja unë i terrorizuar
-Mirësevjen në vendin e gabuar, në kohën e gabuar,- fliste qetësisht njeriu i ftohtë.
-Qetësohu i dashur mik- më tha. Unë do të jem tani e tutje Virgjili yt. Eja me mua në ferrparajsë, unë jam Teodor Keko.
2./
Kurrë nuk isha takuar dhe folur me Teodor Kekon. E mbaj mend kur shkruante në gazetën e parë opozitare apo kur fliste bukur në parlamentin e parë pluralist. Ironia dhe zgjuarsia e tij më pëlqente, edhe mënyra si shkruante ishte e lirshme. Nuk e mendoja kurrë se do takohesha e do të më priste në pragun e dy botëve. Madje edhe kur isha i gjallë e fantazoja për ditën e parë të vdekjes nuk imagjinoja dot se brenga e lamtumirës nga ndarja prej njerëzve të mi do të më ëmbëlsohej nga buzëqeshja e ftohtë dhe prania e Dorit të vogël.
Teodor Kekon e kam vërtetë Virgjilin e vizitës time sa në ferr sa në parajsë dhe anasjelltas. I vetmi njeri me të cilin flas dhe shkoj i rrëfehem për dhimbjet e mia. Më tha që e kishte marrë vesh për vdekjen time dhe po më priste. Më kishte ndjekur përsëvdekuri, jetoka me hallet dhe gëzimet tona,më njihte… na njeh të gjithëve.
Ina, ky njeri di gjithçka për ne, jeton si një i gjallë, njeh jetën dhe katranin e pasvdekjes.
***
Jam i ri në këtë teatër absurd real dhe zyrtarisht më kanë vendosur të pres pranë Qiellit të Shpirtrave Soditës. Çdo ditë vërdallosem duke parë nga afër nëntë rrathët e Ferrit, malin e Purgatorit. Beatriçen e hijshme dhe furfuritëse kam shumë dëshirë ta shikoj kur vjen e merr Shpirtrat e i çon drejt qiejve të Parajsës, por Dori më thotë që Ajo shfaqet rrallë, shumë rrallë. Po pres dhe unë me padurim të vendosem ku e meritoj, por e shoh që këtej qenka një burokraci strikte dhe rigoroze.
Dori tashmë i njeh dhe flet me të gjithë shpirtrat. Dikë e ngacmon, dikë e ndihmon. Dikujt i qëndron afër sa ti shërohen plagët e Llavave të Ferrit, një tjetër e bekon kur niset drejt Venerës, Jupiterit, Saturnit…
3./
Jam ende i shokuar nga çfarë shikoj e prek këtu dhe perfeksioni mes vuajtjes dhe shpagimeve më shqetëson porsi një i gjallë.
Një pragmuzgu teksa sodisja i terrorizuar rrethin e Shtatë të Mëkatarëve Dhunues e Barbarë pyes Dorin nëse Enver Hoxha ende dergjej ndënë Ferr?
Vetë Dori i vogël qeshi dhe më tregoi:
-Raca jonë është e çuditshme, e paimagjinueshme. Enver Hoxha u tregua i zgjuar se zbriti nën tokë i kompletuar. I kishin vendosur në arkivol një letër reference dhe një raport mjeko-hyjnor ata të gjallët. Me dokumenta fallco, gjithë klerikëve sunitë, katolikë, bektashinj, ortodoksë u kishte marrë firmat e ku shkruhej se ishte i vetmi mbi tokën tonë që prishi kisha e xhamija sepse bashkoi fetarë e ateistë, ndërsa në raportin mjekësor shkruhej se puna dhe mundi për njerëzinë e diabetosën deri në Xhehenem.
-Ne shqiptarët e kemi korruptuar edhe ferrparajsën, edhe filozofinë e Shën Thoma Akuinit- qeshi Dori dhe të dy shkuam të sodisnim nga afër Lëndinën e Rënkimeve.
4./
Lëndinë e quajnë shpirtrat e këtushëm sepse është një rrip nëntoke i sheshtë e mbushur me gurë që shërbejnë si stola çlodhjeje. Nuk ka as lule as bar të gjelbërt, por në një orë të caktuar vinë takohen e flasin me njëri-tjetrit shpirtrat e këtushëm. Dikush vjen prej zjarreve a torturave, një tjetër prej blusë së paqtë të parajsës. Dikush turfullon e qan prej dhimbjesh, dikush pranon me zë a me heshtje mëkatet e atyshme.
Qysh nga nëntori i vjetshëm kjo lëndinë është populluar aq shumë sa nuk gjen dot vende për të ulur. Herë-herë duket sikur shkollat e Aristotelit ku nxënësit (shpirtrat) dëgjojnë rrëfimet e çdokujt. Debatet e Ramiz Alisë me Sabri Godon janë të zjarrta aq sa edhe këtu
