E Shtunë, 31 Tetor 2026

Assadi si Miloshevici

I dërguari i posaçëm i OKB-së për Sirinë, Kofi Annan, i tha Këshillit të Sigurimit se plani i tij paqësor është shpresa e fundit, për të shmangur luftën e plotë qytetare në Siri. Por si duket, Siria tashmë ka hyrë në luftë qytetare. Është e qartë se presidenti Baschar Al Assad i është shmangur fatit të Hosni Mubarakut dhe Muammar Gaddafit. Si duket, Assad ka mësuar nga ish-presidenti i Serbisë, Slobodan Miloshevici.

Dhuna politike dikur ishte në qendër të vëmendjes të medieve perëndimore, të cilat supozonin se Pranvera Arabe kishte arritur edhe në Siri dhe se presidenti i këtij vendi, Baschar Al Assad, së shpejti do të përjetonte fatin e Hosni Mubarakut dhe të Muammar Gaddafit. Por Siria e sotme më shumë është jehonë e luftërave në Ballkan në vitet e 90-ta, se sa e Pranverës Arabe në fillet e saj.

Ky konflikt brutal qytetar po ndërsen komunitetet kundër njëra-tjetrës në baza fetare, përderisa fuqitë perëndimore duken të paralizuara, pasi që iniciativat paqësore, të prezantuara nga diplomatët e huaj po dështojnë dhe pasi që armëpushimi nuk po respektohet nga asnjëra palë. Rrallë herë ndodh që lajmet për masakrimin e sirianëve nga ana e sirianëve të zënë ballinat e medieve, përkundër faktit se numri i të vrarëve ka kaluar shifren prej 9 mijë. Argumentet për dhe kundër intervenimit tashmë janë bërë përditshmëri. Lufta qytetare në Siri është shndërruar në normalitet.

Para gati dy dekadave, gjatë procesit të shpërbërjes së Jugosllavisë, forcat serbe, nën kryesimin e Slobodan Miloshevicit dhe vartësve të tij serbë në Bosnje filluan luftën për të copëtuar Bosnjën dhe për të zgjeruar territoret nën kontrollin e serbëve, me ndihmën e fushatës së spastrimeve etnike, duke dëbuar boshnjakët dhe kroatët. Lufta filloi një muaj pasi që protagonistët nënshkruan një plan ndërkombëtarë paqësor, të emëruar me emrin e hartuesve të planit, diplomatit britanik, Lord Peter Carrington dhe ambasadorit portugez, Jose Cutileiro.

Pasuan vite të luftimeve brutale, para se NATO-ja filloi të zbatojë zonën e ndalim-fluturimit në vitin 1994 dhe për të intervenuar në fund, me qëllim që palët ndërluftuese të pranojnë marrëveshjen paqësore për ndarje të pushtetit, të nënshkruar në nëntor të vitit 1995, në Deyton, Ohiao.

Njëri nga nënshkruesit ishte Miloshevici, i cili nëpërmjet luftës e kishte forcuar pozitën e tij deri në atë pikë, sa që konsiderohej si i domosdoshëm për të rivendosur paqen (drejtësia e desh të presë edhe pesë vjet tjera, para se Miloshevici të përmbysej nga populli serb dhe të dërgohej për t’u përballur me procesin gjyqësor nën akuzat për krime të luftës në Hagë, ku edhe vdiq).

Presidenti Baschar Al Assad duket se ka vendosur qysh herët gjatë fushatës në Siri se më parë do të jetë Miloshevic, se sa Gaddafi. Dhe deri me tani, ai po e kryen punën mjaft mirë. Tani, pasi që kjo fushatë është zhvendosur nga një lëvizje e protestës në luftë ndërfetare, ai ja ka arritur që të anashkalojë kërkesat për largimin e tij. Në vend të kësaj, planet paqësore tani bazojnë në përpjekjet për të siguruar pajtimin e tij, për ti dhënë fund dhunës shtetërore.

Në aspektin ushtarak, forcat e Assadit mbizotërojnë dhe duket se janë të afta që të parandalojnë me lehtësi përpjekjet e kryengritësve, për të zgjeruar territoret nën kontrollin e tyre. Përkundër raporteve se Arabia Saudite dhe Katari janë duke armatosur kryengritësit ka shumë pak shenja, të cilat po flasin për këtë dhe kryengritësit po përballen me vështirësi për të siguruar mjete për të blerë armatim.

Për dallim nga Gaddafi, Assadi po përfiton nga mbështetja e fuqishme diplomatike e Rusisë dhe Kinës, të cilat shtete po kundërshtojnë intervenimin e jashtëm për përmbysjen e regjimit në Siri. Evropa momentalisht është e përqendruar në krizën ekonomike me të cilën po përballet, ndërsa SHBA-ja është në recesion dhe është e përqendruar në fushatën presidenciale. Presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, i cili mbështeti intervenimin e NATO-s në Libi, sa po humbi zgjedhjet në Francë. Pasardhësi i tij, Francois Hollande, ka bërë të qartë se Franca nuk do të përfshihet në aksion ushtarak kundër Sirisë, pa një autorizim të OKB-së, i cili me gjasë nuk do të sigurohet, pasi që Rusia dhe Kina do të bllokonin me veto autorizimin e Këshillit të Sigurimit për intervenim.

Turqia është shndërruar në të vetmen shpresë për ndonjë lloj intervenimi, duke pasur parasysh se ajo po strehon pjesëtarët e Armatës së Lirë të Sirisë dhe hidhërimin e saj ndaj Assadit. Por hapja e kampeve të refugjatëve për sirianët në Turqi, duket se Ankaraja po përgatitet për vazhdimin e luftës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›